Hamza: “Ora e Pritjes” do të vendoset edhe në qytete të tjera të Kosovës

Hamza: “Ora e Pritjes” do të vendoset edhe në qytete të tjera të Kosovës

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ekranet me numërimin mbrapsht deri më 16 shtator do të vendosen jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Duke folur në aktivitetin “Ora e Pritjes”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në sheshin “Nëna Tereza”, Hamza tha se ekranet do të shërbejnë si simbol i pritjes dhe kujtesës për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Koha po ecën, pritja tash është shkurtuar, por kujtesa jonë nuk shkurtohet. Sa më afër të jetë dita, aq më fuqishëm duhet ta themi atë që duhet ta themi. Ky ekran është simbol i pritjes në Prishtinë, por ekrane të ngjashme do të vendosen në gjithë Kosovën. Këto ekrane janë një mesazh se Kosova nuk harron, nuk harron që Kosova luftoi…nuk harron kush e bëri Kosovën të lirë dhe të pavarur në botë dhe nuk harron se ata sot nuk janë vetëm. Pas tyre janë familjet, bashkëluftëtarët, miqtë dhe një popull që nuk e harron sakrificën”, tha mes tjerash Hamza.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.