Haradinaj: Aleanca e voton ligjin për Specialen, kërkojmë që të përfundojë sot në dy leximet

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë në seancën e Kuvendit se vendimi dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së është, sipas tij, një ofendim për popullin e Kosovës dhe për gjakun e derdhur gjatë luftës.
“Sot e kam përshtypjen se jemi duke bërë diçka të fajshme. Ne jemi ofendu rëndë. Një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë Kuvend, për drejtësinë”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se shqiptarët dhe institucionet e Kosovës, sipas tij, janë ata që e njohin më së miri të vërtetën e luftës.
Duke folur për Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Haradinaj tha se do të ishte më e drejtë, sipas tij, që të miratohej një ligj me një nen që do të anulonte Gjykatën Speciale.
Megjithatë, ai deklaroi se Aleanca do ta mbështesë projektligjin që është në rend dite.
“Ligjin e sotëm Aleanca e voton dhe i kërkojmë këtij parlamenti që me mocion ta vendosë në dy lexime dhe ta kryejmë sot”, tha Haradinaj, duke kërkuar që procedura për projektligjin të përfundojë brenda seancës së sotme.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



