Homazhe mbretit të modës/ Mijëra njerëz në radhë, nderime për stilistin italian Giorgo Armani

Mijëra qytetarë i bënë homazhe këtë të shtunë Ikonës së Modës Italiane Giorgo Armani i cili ndërroi jetë këtë javë në moshën 91 vjeçare. Arkivoli i tij i mbyllur prej druri u vendos në një sallë të errët në selinë e kompanisë në Milano, ku qirinjtë dhe një ekran gjigand me portretin e stilistit krijuan [...]Read More...

Homazhe mbretit të modës/ Mijëra njerëz në radhë, nderime për stilistin italian Giorgo Armani

Mijëra qytetarë i bënë homazhe këtë të shtunë Ikonës së Modës Italiane Giorgo Armani i cili ndërroi jetë këtë javë në moshën 91 vjeçare.

Arkivoli i tij i mbyllur prej druri u vendos në një sallë të errët në selinë e kompanisë në Milano, ku qirinjtë dhe një ekran gjigand me portretin e stilistit krijuan një atmosfere solemne.

Qindra persona u rreshtuan që në orët e para për të marrë pjesë në ceremoninë dyditore të homazheve në Teatro Armani, selia minimaliste por luksoze e markës.

Të parët që hynë ishin punonjësit e shtëpisë së modës, të gjithë të veshur në të zeza dhe me syze dielli në shenjë zie.

Armani, themeluesi dhe drejtuesi i perandorisë shumë miliardë dollarëshe të luksit, u nda nga jeta të enjten pas disa muajsh që vuante nga disa probleme shëndetësore. Ai do të prehet në Milano, në një ceremoni varrimi e cila do të jetë private ndërkohë që qyteti Italian ka shpallur ditë zie.

Hommazhet  dhe ngushëllime kanë ardhur nga e gjithë bota e modës dhe Hollivudi, ku krijimet e tij të thjeshta por të përsosura ishin të preferuara nga emrat më të njohur të kinemasë.

Armani mbajti nën kontroll të plotë kompaninë e tij përgjatë gjithë karrierës, duke e zgjeruar nga moda drejt hoteleve luksoze, kozmetikës, aksesorëve dhe arredimit të brendshëm. Sipas revistës Forbes, në momentin e ndarjes nga jeta, pasuria e tij personale llogaritej në rreth 11,8 miliardë dollarë. Shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë publik, por sipas gazetës Corriere della Sera, Armani vuante nga insuficienca e mëlçisë dhe ishte shtruar në spital në qershor për shkak të bronkopneumonisë virale.

Edhe pse shëndeti i tij ishte i brishte, ai vazhdoi të punonte pothuajse deri në fund, duke përfunduar përgatitjet për shfaqjen që do të shënonte 50-vjetorin e shtëpisë së tij të modës në fund të këtij muaji gjatë Javës së Modës në Milano – një event që tashmë do të shërbejë si lamtumira e tij e fundit. I lindur në Piacenza, Armani fillimisht ndoqi mjekësinë, por e braktisi për modën pas një periudhe si dekorues vitrinash në një dyqan të Milanos. Në vitin 1975 prezantoi koleksionin e tij të parë, duke themeluar një markë që do të shënonte gjurmë të përjetshme në industrinë e modës.

Homazhet për Giorgo Armanin do të zgjasin deri në orët e mbrëmjes së të dielës dhe do të mbahen në Teatro Armani, vendndodhje kjo e cila që prej vitit 2001 është shndërruar në selinë kryesore të Markës.