Houthi-t sulmojnë anijen tregtare në Detin e Kuq, 3 marinarë humbin jetën
Një tjetër përshkallëzim i rrezikshëm në Detin e Kuq! Anija tregtare Eternity C, me flamur të Liberisë dhe e operuar nga një kompani greke, është fundosur pas një sulmi nga rebelët Houthi të Jemenit. Sipas një misioni detar europian, gjashtë anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar, ndërsa të paktën tre të tjerë janë konfirmuar të vdekur. [...]Read More...

Një tjetër përshkallëzim i rrezikshëm në Detin e Kuq! Anija tregtare Eternity C, me flamur të Liberisë dhe e operuar nga një kompani greke, është fundosur pas një sulmi nga rebelët Houthi të Jemenit. Sipas një misioni detar europian, gjashtë anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar, ndërsa të paktën tre të tjerë janë konfirmuar të vdekur. Fati i 19 marinarëve të tjerë mbetet ende i panjohur.
Anija po transportonte 25 anëtarë ekuipazhi, shumica shtetas filipinas, kur u sulmua të hënën nga varka të vogla të pajisura me granatahedhës. Pas goditjeve, Eternity C pësoi dëmtime të mëdha dhe humbi aftësinë për të lundruar, çka çoi në fundosjen e saj. Sulmi vijoi edhe të martën, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.
Houthit, të mbështetur nga Irani, deklaruan se sulmuan anijen pasi ajo ishte në rrugë drejt Izraelit dhe thanë se kishin marrë disa anëtarë të ekuipazhit në një “vend të sigurt”.
Një incident tjetër ndodhi të dielën, kur Houthit goditën anijen Magic Seas, po ashtu me flamur të Liberisë dhe të operuar nga grekët. Anija u mbyt pas sulmit me raketa, por të gjithë 22 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan nga një anije tregtare që kalonte aty pranë.
Sipas të dhënave të fundit, Houthit kanë goditur rreth 70 anije tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit që nga nëntori 2023, duke fundosur katër, kapur një dhe vrarë të paktën shtatë marinarë. Ata pretendojnë se veprojnë në mbështetje të palestinezëve në luftën Izrael-Hamas, por shpeshherë objektivat e tyre nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Izraelin, SHBA-të apo Britaninë.
Departamenti i Shtetit i SHBA dënoi sulmet ndaj Eternity C dhe Magic Seas, duke theksuar se ato paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë detare dhe ekonominë rajonale. SHBA-të kanë deklaruar se do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar. / abcnews.al