“Safe City“ nuk fal: Të huajt rreshtohen në Tabanoc për të paguar gjobat e shpejtësisë

“Safe City“ nuk fal: Të huajt rreshtohen në Tabanoc për të paguar gjobat e shpejtësisë

Sot në pikën kufitare Tabanoc ka radhë të gjata automjetesh të drejtuara nga shtetas të huaj, të cilët presin për të paguar gjobat për kundërvajtje në komunikacion, të regjistruara nga sistemi „Safe City“.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi së fundmi se askush nuk mund t’i shpëtojë sistemit „Safe City“ nëse qarkullon në rrugët e Maqedonisë ku janë vendosur kamerat për matjen e shpejtësisë, pavarësisht nëse automjeti ka targa maqedonase apo të huaja.

Ai theksoi se nuk do të ketë përjashtime dhe se çdo person që shkel ligjet gjatë qarkullimit në Maqedoni do të sanksionohet, pavarësisht nga shteti prej nga vjen.

Kur sistemi „Qyteti i Sigurt“ u vendos në fillim të këtij viti, ishte bërë e ditur se automjetet me targa të huaja që kryejnë kundërvajtje nuk do të ndalohen gjatë daljes nga shteti. Megjithatë, drejtuesit e tyre do të marrin njoftim zyrtar se nuk do të mund të hyjnë sërish në Maqedoni nëse nuk e paguajnë gjobën.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.