IKD: Në disa raste Prokurori i Shtetit ngriti aktakuzë për përdorim të armës, e jo edhe për armëmbajtje pa leje

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka gjetur se në disa raste Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë vetëm për përdorim të armës, por jo edhe për armëmbajtje pa leje. Një gjë e tillë thuhet në raportin e IKD të publikuar të premten, me titull “Dënimet me gjobë – “Leje”për armëmbajtje”. Raport ky i cili

IKD: Në disa raste Prokurori i Shtetit ngriti aktakuzë për përdorim të armës, e jo edhe për armëmbajtje pa leje

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka gjetur se në disa raste Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë vetëm për përdorim të armës, por jo edhe për armëmbajtje pa leje.

Një gjë e tillë thuhet në raportin e IKD të publikuar të premten, me titull “Dënimet me gjobë – “Leje”për armëmbajtje”. Raport ky i cili paraqet një analizë të trajtimit të rasteve gjyqësore të veprave penale të armëve. Konkretisht, ky raport paraqet gjetjet nga analizimi i 150 aktgjykimeve të 7 Gjykatave Themelore  dhe 46 aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit, për periudhën 2022 – 2024.

Raporti sqaron se veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” janë dy vepra të ndara.

Përderisa thekson se në rastet kur konsumohen të dy (2) veprat penale, nuk mund të konsiderohet se njëra prej tyre e absorbon tjetrën.

Po ashtu, IKD gjen se kështu është edhe praktika gjyqësore në shumicën e rasteve të analizuara.

Mirëpo, IKD gjen se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në gjashtë raste.

Pra, sipas këtij raporti, në gjashtë raste, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë vetëm për përdorim të armës e jo edhe për armëmbajtje pa leje.

Kështu, më tej thuhet se në pamundësi të tejkalimit të akuzës, Gjykata i ka dënuar të pandehurit në këto raste vetëm për përdorim të armës e jo edhe për armëmbajtje pa leje.

Andaj, raporti thekson se kjo mënyrë e veprimit nga ana e Prokurorit të Shtetit ka amnistuar gjashtë të pandehur nga vepra penale e armëmbajtjes pa leje.

Gjithashtu, IKD gjen se ka ndodhur edhe e kundërta.

“IKD ka evidentuar tri raste kur Prokurori i Shtetit i ka akuzuar të pandehurit vetëm për armëmbajtje pa leje, përkundër se në dispozitivin e aktakuzës theksohet përdorimi i armës. Kështu, të pandehurit janë dënuar vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje e jo edhe për përdorim të armës”, thuhet këtë raport.

Andaj, sipas IKD, kjo qasje e Prokurorit të Shtetit që nuk është në linjë as me Kodin NR. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës dhe as me praktikën e përgjithshme, në këto raste ka amnistuar të pandehurit nga vepra penale e armëmbajtjes pa leje, respektivisht përdorimit të armës.