Pa incidente përfundon protesta e 17-të, protestuesit: Nuk do të ndalemi asnjë natë derisa të procedohet ligji

“Votojeni ligjin për Specialen” ishte kërkesa që u përsërit sonte në protestën “Jo Në Emrin Tim”, e cila për të 17-tën natë me radhë u mbajt në Prishtinë kundër vendimit të Hagës për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Protesta ka përfunduar pa ndonjë incident.
Fillimisht, protestuesit u mblodhën në sheshin qendror të Prishtinës, ndërsa më pas marshuan në këmbë drejt Ministrisë së Drejtësisë.
Si para Qeverisë së Kosovës, ashtu edhe para Ministrisë së Drejtësisë, protestuesit kërkuan që të votohet ligji për Specialen.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, i ka bërë thirrje ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që ta procedojë ligjin për Specialen, duke theksuar se protestuesit nuk do të ndalen.
“Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK’së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…”, ka thënë mes tjerash Haziri.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



