Institucionet në RMV nuk bashkëpunojnë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale

Pronësisë intelektuale në Maqedoninë e Veriut nuk i kushtohet vëmendja e duhur, ndërsa institucionet në vend kanë arsyetimet e veta se pse jemi në këtë gjendje. Disa institucione nuk u përgjigjen kërkesave të disa të tjerave, ndërsa vendi nuk po shënon asnjë përparim. Raporti i vitit 2023 i Komisionit Evropian, theksoi se e drejta e […]

Institucionet në RMV nuk bashkëpunojnë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale

Pronësisë intelektuale në Maqedoninë e Veriut nuk i kushtohet vëmendja e duhur, ndërsa institucionet në vend kanë arsyetimet e veta se pse jemi në këtë gjendje. Disa institucione nuk u përgjigjen kërkesave të disa të tjerave, ndërsa vendi nuk po shënon asnjë përparim. Raporti i vitit 2023 i Komisionit Evropian, theksoi se e drejta e pronësisë intelektuale nuk ka shënuar asnjë përparim. KE-ja kërkoi që trupi koordinues për mbrojtjen e pronësisë intelektuale duhet të intensifikojë aktivitetin e tij për të adresuar sfidat kryesore që lidhen me të Drejtën e Pronësisë Intelektuale (DPI) dhe se nevojitet punë thelbësore në zbatimin e përgjithshëm të DPI-së, shkruan Portalb.mk.

Redaksia jonë pyeti Entin Shtetëror për Pronësi Industriale (ESHPI), në kuadër të të cilit funksionon trupi koordinues, se pse nuk ka përparim në këtë drejtim. Nga ky Ent arsyetohen se ky organ ka kompetencë vetëm të shqyrtojë parashtresat dhe ankesat, por se ata që duhet të veprojnë janë institucionet tjera.

“Trupi koordinues për pronësi intelektuale, është vetëm trup konsultativ i cili i shqyrton parashtresat dhe ankesat e parashtruara. Pasi që i shqyrtojmë bashkërisht në mbledhjet tona i delegojmë tek institucionet kompetente për ekzekutimin e te njëjtave. Për shembull: Nëse kemi të bëjmë me shkelje te ndonjë marke tregtare informohet Inspektorati i Tregut përmes anëtarit që e përfaqëson te trupi, nëse kemi te bëjmë me shkelje të të drejtave të autorit e informojmë Ministrinë e Kulturës përmes anëtarit ose keqpërdorimet në rrjetet sociale e-tregtia e informojmë Ministrinë e Punëve te Brendshme përmes anëtarit te tyre ne Trup. Gjithashtu ka edhe situata kur dërgohen ne gjykata dhe prokurori”, thonë nga Enti për Pronësi Industriale.

Mirëpo, nga Enti shtojnë se ndodh që këto ankesa të adresohen direkt në institucionet përkatëse, duke mos ia dërguar fare Entit, dhe në këtë situatë ata thonë se nuk kanë çka të bëjnë.

“Ligjërisht s’kemi kompetenca. Nuk ka pasur takime në kohen që përmendët ju pasi qe nuk ka pasur ankesa te parashtruara tek neve”, shtojnë nga ky ESHPI.

Përveç ankesave, më tej thuhet se Trupi ka mundësi të organizojë aksione në grupe.

“Kemi dërguar disa herë kërkesë zyrtarisht kundrejt Inspektoratit te Tregut por nuk kemi përgjigje për të njëjtën.
Duhet ditur se Inspektorati i Tregut është institucioni kyç dhe kryesor i cili vepron ne terren, edhe është e pamundur që të iniciojmë vetë ne diçka, pasi ne si trup nuk kemi asnjë kompetence ligjore qe te veprojmë ne terren”, thonë nga ESHPI.

Inspektorati Shtetëror i Tregut, Foto: IShP

Në raportin e vitit 2023 të KE-së ashtu si edhe vitin 2022, Njësia përkatëse për të drejtat e pronësisë intelektuale në Ministrinë e Kulturës është kritikuar për mungesë kuadri.

Trupit koordinues për mbrojtjen e pronësisë intelektuale iu kërkua që të intensifikojë aktivitetin e tij për të adresuar sfidat kryesore që lidhen me DPI si dhe se nevojitet punë thelbësore në zbatimin e përgjithshëm të DPI.

Gjatë vitit 2022, KE nënvizoi se dhe pse ekziston trup koordinues për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, nuk i adreson sfidat kryesore në këtë fushë.

Enti Shtetëror për Pronësi Industriale (ESHPI) madje vitin e kaluar nuk ishte në dijeni të vërejtjeve të Komisionit Evropian mbi mosfunksionalitetin adekuat të trupit koordinues për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Portalb.mk, kërkoi prononcim nga ky Ent, i cili është kompetent për këtë çështje, por nga atje fillimisht u përgjigjën me kërkesë për t’i informuar më saktësisht mbi këto vërejtje, duke shtuar se as në skrining nuk janë përmendur këto kritika.

“Në lidhje me pyetjen e parashtruar kundrejt neve, do ju kisha lutur të na informoni se cilat janë vërejtjet e Komisionit Evropian. Ne kemi qenë në skrining dhe nuk kemi pasur vërejtje që ju apostrofoni”, na thanë atëkohë nga (ESHPI).

Portalb.mk, Entit më pas i dërgoi foto-printscreen nga Raporti, ku janë të nënvizuara vërejtjet e KE-së për ekzistencën e trupit koordinues, i cili nuk merret me sfidat kryesore në këtë fushë.

Pas kësaj, Enti në vend se të sqarojë qëndrimin mbi vërejtjet e KE-së, dërgoi një raport mbi punën e tij, funksionin e trupit koordinuar dhe përbërjen e tij, punën dhe adresimin e sfidave kyçe, duke anashkaluar dhe mos u përgjigjur për vërejtjet e Komisionit Evropian.

LEXO: RMV, lëvizja e kapitalit ka shënuar progres, shoqëritë tregtare dhe e drejta e pronësisë intelektuale asnjë përparim LEXO: RMV, Enti Shtetëror për Pronësi Industriale nuk është në dijeni të vërejtjeve të Komisionit Evropian, doli kundër tyre