Izraeli nis operacion të madh ushtarak në Bregun Perëndimor, Netanyahu paralajmëron bllokadë

Izraeli ka nisur një operacion ushtarak kundër terrorizmit në zonën e Hebronit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një sulmi të armatosur ku u vranë dy ushtarë izraelitë, njoftuan ushtria dhe shërbimi i inteligjencës Shin Bet.
Forcat izraelite kanë nisur kontrolle të hollësishme në zonë, me qëllim identifikimin dhe shkatërrimin e infrastrukturës që, sipas tyre, përdoret nga grupet terroriste, si dhe sekuestrimin e armëve dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve.
Në operacion janë përfshirë ushtria, shërbimet e inteligjencës, policia kufitare dhe administrata civile. Sipas autoriteteve izraelite, aksioni do të përqendrohet në zonën nga ku vepruan sulmuesit dhe pritet të zgjasë disa ditë, shkruan timesofisrael.
Sipas ushtrisë izraelite, dy ushtarë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën gjatë një shkëmbimi zjarri pranë Hebronit të premten. Dy palestinezët e dyshuar për sulmin u vranë gjithashtu.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se forcat e sigurisë kanë parandaluar një sulm të rëndë dhe njoftoi masa të reja kufizuese ndaj territorit palestinez.
Ai urdhëroi bllokimin e Hebronit dhe përgatitjen për mbylljen e të gjitha pikëkalimeve drejt Bregut Perëndimor.
Netanyahu paralajmëroi gjithashtu se ushtria do të hyjë në vendbanimin nga vijnë sulmuesit, do të evakuojë banorët dhe do të kontrollojë shtëpitë një nga një, me synimin për të shkatërruar atë që Izraeli e cilëson si infrastrukturë terroriste.
Masat përfshijnë edhe vendosjen e pikave të kontrollit në rrugë dhe kufizimin e lëvizjes në zonën e Hebronit dhe Halhulit. Banorëve të zonës së prekur do t’u lejohet të largohen përmes tri daljeve të caktuara, pasi të merren në pyetje.
Ushtria izraelite bëri të ditur se po zhvillon operacione kundër terrorizmit edhe në dhjetëra lokacione të tjera në Bregun Perëndimor.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967. Sot, në këtë territor jetojnë rreth tre milionë palestinezë dhe afërsisht 700 mijë kolonë izraelitë.
Situata e sigurisë është përkeqësuar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftës që pasoi në Rripin e Gazës.
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga ajo kohë, më shumë se 1.100 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë operacioneve ushtarake izraelite, përleshjeve të armatosura dhe sulmeve.
Operacioni i ri po zhvillohet pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Izrael, ku siguria dhe konflikti me palestinezët janë ndër temat kryesore të fushatës. Politikanët e krahut të djathtë po kërkojnë masa më të ashpra ndaj dhunës palestineze, ndërsa sulmet e kolonëve radikalë izraelitë ndaj palestinezëve vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim. /Telegrafi
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



