Kantoni Vaud heq ndalimin për ndezjen e zjarreve në ambient të hapur

Kantoni Vaud në Zvicër ka hequr të mërkurën ndalimin për ndezjen e zjarreve në ambient të hapur dhe në pyje, i cili ishte vendosur më 28 korrik për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret.
Lehtësimi i masave përfshin edhe përdorimin dhe shitjen e mjeteve piroteknike, si dhe përdorimin e skarave dhe barbekyve.
Autoritetet e Vaud-it thanë se reshjet e ditëve të fundit, së bashku me reshjet e parashikuara dhe uljen e temperaturave, kanë ndikuar në përmirësimin e situatës.
“Për shkak të reshjeve të ditëve të fundit dhe atyre që priten, si dhe uljes së temperaturave, rreziku për zjarre në bimësi dhe pyje është në rënie”, thuhet në njoftimin e autoriteteve kantonale.
Sipas tyre, niveli aktual i rrezikut nga zjarret është 3 në një shkallë nga 1 deri në 5 në të gjithë territorin e kantonit. Për këtë arsye, kushtet që justifikonin ndalimin e zjarreve nuk janë më të pranishme.
Kërkohet kujdes i shtuar në pyje
Banorët dhe vizitorët mund të përdorin sërish skarat dhe barbekyutë në hapësirat publike të përcaktuara për këtë qëllim, duke respektuar masat standarde të sigurisë.
Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se në pyje duhet të vazhdohet me kujdes të madh. Legjislacioni pyjor ndalon ndezjen e zjarreve në pyje, si dhe në një distancë prej 10 metrash nga skajet e tyre, përveç zonave të posaçme ku kjo lejohet.
Çdo shpërthim zjarri apo situatë e dyshimtë duhet të raportohet menjëherë në numrin 118, numri i shërbimit zjarrfikës në Zvicër.
Vendimi për heqjen e ndalimit vjen pas përmirësimit të kushteve atmosferike dhe rënies së rrezikut nga zjarret pas një periudhe thatësire në Zvicër.
The post Kantoni Vaud heq ndalimin për ndezjen e zjarreve në ambient të hapur appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



