Kërkohet paraburgim për Bojan Jevtiq, Prokurori flet rreth dokumenteve konfidenciale që ia gjetën në shtëpi

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu, ka bërë me dije se kanë paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj eprorit policor, Bojan Jevtiq, që u arrestua dje nën dyshimin për spiunazh. Kodraliu tha se gjatë bastisjes në shtëpinë e të njëjtit kanë gjetur prova të mjaftueshme që e lidhin të njëjtin me këtë

Kërkohet paraburgim për Bojan Jevtiq, Prokurori flet rreth dokumenteve konfidenciale që ia gjetën në shtëpi

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu, ka bërë me dije se kanë paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj eprorit policor, Bojan Jevtiq, që u arrestua dje nën dyshimin për spiunazh.

Kodraliu tha se gjatë bastisjes në shtëpinë e të njëjtit kanë gjetur prova të mjaftueshme që e lidhin të njëjtin me këtë vepër.

Ai foli edhe rreth dokumenteve konfidenciale që janë gjetur në shtëpinë e të Jevtiq.

“Po, sot Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, i dyshuar për veprën penale të spiunazhit. Kemi siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale në bazë të së cilave kemi vërtetuar dyshimin se i njëjti është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshë, që cënon rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Janë dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovë të cilat kanë të bëjnë me sigurinë, rendin juridik”, ka deklaruar prokurori special.

Në kërkesën e Prokurorisë, thuhet se Jevqit e ka dërguar te BIA planin e Policisë së Kosovës i quajtur “Shënjestër” i hartuar pas sulmit në Banjskë dhe të njëjtin dokument ia ka komunikuar zyrtarit të BIA-së, Sasha Çiric i njohur me nofkën “Çira”.

Jevtiq dyshohet po ashtu se zyrtarit të BIA-s ia ka mundësuar qasjen në kompjuterin zyrtar, duke rrezikuar policët, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Në shtëpi i janë gjetur edhe armë përfshirë një revole e tipit “Zastava” dhe 90 fishekë.

Në kërkesë thuhet se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar pajisje elektronike, dokumente konfidenciale, armë, municion dhe shuma parash të padeklaruara: 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane.

Sipas dokumentit, dyshimet ndaj Jevtiqit bazohen në kallëzimin penal të IPK-së, raportet mbi masat e veçanta hetimore, si dhe provat materiale të sekuestruara në shtëpinë e tij. Aty janë gjetur dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, plane operative, telefona të mençur, pajisje elektronike (USB, kompjuter), si dhe një CD me mbishkrimin “Ero W7X31” për eliminimin e fjalëkalimeve.

Aty përmenden raportet e AKI-së dhe dëshmitë e zyrtarëve të BIA-s serbe me të cilët Jevtiq dyshohet se kishte komunikuar.

Prokuroria argumenton se ekziston rrezik real për arratisje, ndikim në dëshmitarë, shkatërrim të provave dhe përsëritje të veprës penale. Sipas saj, asnjë masë tjetër përveç paraburgimit nuk do të garantonte rrjedhën e rregullt të procedurës.

Ndaj Jevtiqit, i cili ishte shef i operativës në policinë kufitare në pikëkalimin “Dheu i Bardhë”, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin.