Këshilli i Evropës: U keqpërdorën resurset shtetërore në zgjedhjet e 7 qershorit, u shpërndanë para e u subvencionuan fluturimet për diasporën

Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026 u zhvilluan në kushte të pabarabarta të garës, ndërsa Qeveria në detyrë, e drejtuar nga Albin Kurti, mori vendime financiare dhe subvencionoi linjat ajrore për diasporën në prag të zgjedhjeve.
Këto janë disa nga shqetësimet e evidentuara nga delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), në raportin për vëzhgimin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Një shqetësim kryesor i identifikuar nga delegacioni i PACE-s dhe vëzhguesit vendas ishte mungesa e kushteve të barabarta të garës. Qeveria në detyrë, në prag të zgjedhjeve, mori vendime për të ofruar pagesa financiare njëherëshe për kategori të ndryshme të qytetarëve dhe për të subvencionuar linjat ajrore për diasporën”, thuhet në raport.
Sipas raportit, koha e ndërmarrjes së këtyre masave u perceptua gjerësisht si e synuar për t’i sjellë përfitim partisë në pushtet.
“Koha e ndërmarrjes së këtyre masave u perceptua gjerësisht si e synuar për t’i sjellë përfitim partisë në pushtet. Delegacioni i PACE-s dëgjoi nga disa bashkëbisedues se këto vendime përbënin keqpërdorim të burimeve administrative dhe mjegullonin vijën ndarëse mes politikave publike dhe interesave zgjedhore”.
Një sjellje e tillë, aty theksohet se “u jep përparësi subjekteve në pushtet dhe cenon perceptimin për një konkurrencë të drejtë, edhe kur vendimet mund të kenë një justifikim të argumentueshëm në interesin publik”.
Në raport përmendet si mangësi edhe mungesa e debateve të drejtpërdrejta mes kandidatëve për Kryeministër.
“Kjo e kufizoi mundësinë e votuesve për t’i krahasuar alternativat politike përmes një përballjeje të drejtpërdrejtë dhe e privoi fushatën nga përmbajtja thelbësore demokratike”.
PACE vlerëson gjithashtu se transparenca e financimit të fushatave “mbetet një fushë që kërkon përmirësim të konsiderueshëm”.
“DiA monitoroi shpenzimet e partive politike për reklamat në rrjetet sociale dhe identifikoi shpenzime që tejkalonin 100 mijë euro në platformat e Meta-s vetëm gjatë javës së fundit të fushatës”.
Raporti evidenton edhe një sërë sfidash të tjera që, sipas delegacionit, u shfaqën gjatë procesit zgjedhor.
Në përmbledhjen e tij, PACE thekson: “kushte të pabarabarta në garën zgjedhore, si pasojë e keqpërdorimit të resurseve shtetërore nga Qeveria në detyrë; lodhjen e votuesve dhe rënien e pjesëmarrjes në zgjedhje; një fushatë që nuk pati debat përmbajtjesor mbi politikat dhe përballje të drejtpërdrejta mes kandidatëve kryesorë; kërcënimet në rritje nga dezinformimi i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, gjuha e urrejtjes dhe dhuna digjitale; mbrojtjen e pamjaftueshme të kandidateve gra në mjedisin online; si dhe mangësitë e vazhdueshme në qasjen në zgjedhje, masat mbrojtëse për votimin jashtë vendit dhe përfaqësimin etnik në administrimin e zgjedhjeve”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



