Sulm kibernetik godet serverët e administratës federale në Zvicër

Administrata federale zvicerane është përballur me një sulm kibernetik që ka prekur serverët Microsoft SharePoint të Zyrës Federale për Informatikë, Sisteme dhe Telekomunikacion (FOITT/BIT), përcjell albinfo.ch.
Sipas autoriteteve, sulmues të panjohur dyshohet se kanë shfrytëzuar dobësi të zbuluara gjatë muajit korrik në softuerin Microsoft SharePoint. Si masë sigurie, qasja në serverët përmes internetit për përdoruesit jashtë administratës federale është bllokuar përkohësisht.
Gjatë analizave të kryera më 31 korrik, ekspertët zbuluan se ishin komprometuar të dhënat e hyrjes për rreth 200 llogari përdoruesish dhe llogari teknike. Fjalëkalimet e të gjitha llogarive të prekura janë rivendosur menjëherë.
Sipas hetimeve paraprake, deri tani nuk ka të dhëna që tregojnë se janë vjedhur informacione të tjera ose se sulmuesit kanë depërtuar më tej në sistemet federale. Megjithatë, analiza teknike vazhdon me mbështetjen e Qendrës Kombëtare për Siguri Kibernetike (NCSC) dhe kompanisë Microsoft.
FOITT bëri të ditur se serverët funksionojnë në qendrat e të dhënave të administratës federale dhe se përditësimet e sigurisë të ofruara nga Microsoft ishin instaluar menjëherë pas publikimit të tyre. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkallën e plotë të incidentit dhe për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.
The post Sulm kibernetik godet serverët e administratës federale në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



