Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur nis punën në Bruksel
Të mërkurën (nesër) do të rinis dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, por kësaj radhe me një takim të parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Këtë gjë e bëri të ditur emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili tha se fokusi i këtij takimi në Bruksel do

Të mërkurën (nesër) do të rinis dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, por kësaj radhe me një takim të parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Këtë gjë e bëri të ditur emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili tha se fokusi i këtij takimi në Bruksel do të jenë personat e zhdukur.
“Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë te Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçak.
Andin Hoti: Në Bruksel do të adresohen disa çështje të rëndësishme për personat e zhdukur
Lidhur me këtë takim që do të mbahet të mërkurën ka folur edhe kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti.
Hoti deklaroi se takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme.
Derisa, Hoti thotë se do të adresohen edhe disa çështje të rëndësishme.
“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur”, tha Hoti.
Hoti potencoi se delegacioni i Kosovës do të prezantoj disa kërkesa që lidhen me arkivat.
“Delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë”, thotë Hoti për “Front Online”.
Më tej, Hoti e ka cilësuar këtë takim të parë si hap të rëndësishëm.
“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”, shprehet Hoti.
Komisioni i Përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian si dhe do të mbikëqyret nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Sipas këtij Komiteti, janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, shumica prej tyre shqiptarë.