Ra në kontakt me tensionin elekrik, vdes punëtori i KEK-ut

Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti, ka humbur jetën sot pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
Ai dyshohet se gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove 6 kV ka rënë në kontakt me tensionin elektrik.
Sipas njoftimit të KEK-ut, pas aksidentit janë ndërmarrë menjëherë veprimet emergjente dhe Ahmeti është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra.
“Gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda”, thuhet në njoftimin e Korporatës Energjetike të Kosovës.
KEK-u ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, të afërmit dhe kolegët e tij.
“KEK-u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ahmeti, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, organet kompetente kanë nisur trajtimin e rastit, ndërsa rrethanat e sakta të aksidentit pritet të sqarohen përmes procedurave përkatëse.
Në fund të njoftimit, KEK-u ka përcjellë edhe një mesazh për të ndjerin: “I përjetshëm qoftë kujtimi për Arbenitin.”
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



