Kontratë për ‘bagerët’: Përzgjidhet operatori për rrënimin e objekteve pa leje në zonat e mbrojtura

Kontratë për ‘bagerët’: Përzgjidhet operatori për rrënimin e objekteve pa leje në zonat e mbrojtura

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nënshkruar kontratë për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në zona të mbrojtura, përfshirë Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe Parkun Kombëtar “Sharri”.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti është paraparë edhe për kërkesa të tjera për rrënimin e ndërtimeve pa leje që janë në përgjegjësi të Inspektoratit të MMPH-së, shkruan ORAinfo.

Kontrata është nënshkruar këtë javë me operatorin ekonomik Ermal Sylaj B.I., ndërsa në procedurën e prokurimit ishin pranuar gjithsej tetë tenderë, prej të cilëve pesë ishin vlerësuar si të përgjegjshëm, shkruan ORAinfo.

Sipas dokumentit, vlera e parashikuar e kontratës ishte 300 mijë euro, ndërsa kohëzgjatja e saj është përcaktuar në 36 muaj. Procedura është zhvilluar përmes tenderit të hapur dhe kriteri për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

Njoftimi tregon se aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar më 18 maj 2026, ndërsa njoftimi për dhënien e kontratës ishte publikuar më 13 gusht.

Kontrata është pjesë e angazhimit për “rrënimin e objekteve pa leje në zona të mbrojtura dhe nevoja të tjera për Inspektoratin e MMPH-së”, duke krijuar bazën për ndërhyrje të tilla në parqet kombëtare dhe në zona të tjera që janë në përgjegjësi të Inspektoratit. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.