Foda: Kosova tani kërkon fitore ndaj skuadrave të mëdha

Foda: Kosova tani kërkon fitore ndaj skuadrave të mëdha

Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka shprehur kënaqësinë e tij me paraqitjen e skuadrës në barazimin 1:1 ndaj Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Foda tha se futbollistët i zbatuan mirë detyrat e kërkuara dhe se Kosova pati mundësi të shënonte edhe golin e dytë. Ai vlerësoi angazhimin e ekipit në të dyja fazat e lojës, duke theksuar organizimin e mirë në mbrojtje dhe sulm.

Megjithatë, trajneri tregoi se lojtarët kanë mbetur të zhgënjyer me rezultatin, pasi synimi ishte fitorja.

Sipas Fodës, ndryshimi i mentalitetit të ekipit është një tregues pozitiv. Ai theksoi se, ndryshe nga më parë kur një barazim ndaj Austrisë do të konsiderohej rezultat i mirë, tash Kosova synon fitore edhe ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë.

Foda foli edhe për gjendjen e disa lojtarëve, duke bërë të ditur se Edon Zhegrova dhe Vedat Muriqi kërkuan zëvendësimin gjatë ndeshjes.

Në fund, selektori gjerman shprehu besim të plotë te skuadra dhe u shpreh krenar për paraqitjen e secilit futbollist.

The post Foda: Kosova tani kërkon fitore ndaj skuadrave të mëdha appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.