Kosova pjesë e ushtrimit rajonal “FloodNorthAlb”

Nga data 7 deri më 11 prill 2025, në Shkodër të Shqipërisë po zhvillohet ushtrimi rajonal “FloodNorthAlb”, një aktivitet i rëndësishëm që synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet agjencive të mbrojtjes civile në rastet e përmbytjeve. Në këtë ushtrim, ku po marrin pjesë ekipe nga disa vende të rajonit dhe Evropës, përfshirë edhe Kosovën

Kosova pjesë e ushtrimit rajonal “FloodNorthAlb”

Nga data 7 deri më 11 prill 2025, në Shkodër të Shqipërisë po zhvillohet ushtrimi rajonal “FloodNorthAlb”, një aktivitet i rëndësishëm që synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet agjencive të mbrojtjes civile në rastet e përmbytjeve.

Në këtë ushtrim, ku po marrin pjesë ekipe nga disa vende të rajonit dhe Evropës, përfshirë edhe Kosovën, po simulohen situata reale emergjente me qëllim testimin dhe përmirësimin e reagimit operacional në terren.

Gjithashtu, gjatë ushtrimit është aktivizuar edhe Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

Sipas një njoftimi nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, Kosova merr pjesë në këtë ushtrim në kuadër të marrëveshjes ndërshtetërore për ndihmë reciproke në rast fatkeqësish natyrore, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Republika e Kosovës përfaqësohet nga ekipi operacional i Kërkim-Shpëtimit në Ujëra Sipërfaqësorë, i përbërë nga 17 pjesëtarë të trajnuar dhe të pajisur për ndërhyrje në situata emergjente për shkak të përmbytjeve.

Përveç Kosovës, në “FloodNorthAlb” po marrin pjesë edhe ekipe nga Greqia, Qipro, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia, ndërsa disa shtete të tjera të rajonit dhe Evropës janë të pranishme si vëzhguese.

Ushtrimi po përcillet nga afër nga drejtues të agjencive homologe dhe zyrtarë të lartë të shteteve pjesëmarrëse.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, pjesëmarrja në këtë ushtrim është një dëshmi e përkushtimit të Kosovës për të qenë një aktor aktiv në mekanizmat rajonalë dhe evropianë të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë, z. Genc Metaj, ka vlerësuar lart angazhimin profesional të ekipit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtyre ushtrimeve për rritjen e ndërveprimit ndërmjet kapaciteteve operacionale dhe për shkëmbimin e përvojave me vendet partnere./Telegrafi/