Kosova prezantohet në Festat Konsullore në Lyon, në fokus kultura dhe bashkëpunimi për “Prishtina 2030”

Kosova u përfaqësua me aktivitete diplomatike dhe kulturore në Festat Konsullore të Lyonit, të mbajtura të shtunën, më 26 shtator, në sheshin Bellecour, transmeton albinfo.ch.
Në kuadër të aktivitetit, stenda e Kosovës mirëpriti kryetarin e Lyonit, Grégory Doucet, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij për marrëdhënie ndërkombëtare.
Delegacioni u prit nga ambasadori i Republikës së Kosovës, Lulzim Hiseni, së bashku me konsullin Xhevdet Grainca dhe konsullin e nderit, Roger Forneris.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe qytetit të Lyonit, me theks të veçantë te përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Me këtë rast, kryetarit Doucet iu dhuruan libri fotografik “Explore Kosovo”, i autorit Bujar Gashi, si dhe broshura zyrtare e “Prishtina 2030”.
Trashëgimia shqiptare prezantohet nga të rinjtë
Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, të prezantuar përmes të rinjve të shoqatës kulturore “Dardanët” nga Pontarlier.
E themeluar në vitin 1994, shoqata ka më shumë se tri dekada që kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë shqiptare në Francë.
Të rinjtë e shoqatës prezantuan një program artistik me temën “Përralla dhe Legjenda”, kushtuar figurës së Adem Jasharit, ndërsa programi vijoi me valle tradicionale dhe patriotike, përfshirë “Vallen e Rugovës”, “Vallen për Pavarësinë e Kosovës” dhe “Vallen e Bilbilave”.
Në organizim u vlerësua edhe kontributi i shoqatës “Iliria” nga Lyoni, me mirënjohje për kryetaren Elisabeta Gjegji-Shehi dhe anëtarët e saj për angazhimin dhe kontributin në organizimin e aktivitetit.
Aktivitetet u përmbyllën me një bashkëbisedim me artisten Oda Haliti dhe studentë kosovarë në Francë.
Festat Konsullore në Lyon shërbyen kështu si një mundësi për prezantimin e kulturës dhe traditës shqiptare, por edhe për forcimin e kontakteve dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, komunitetit shqiptar dhe institucioneve franceze./Albinfo.ch
The post Kosova prezantohet në Festat Konsullore në Lyon, në fokus kultura dhe bashkëpunimi për “Prishtina 2030” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



