Kriza në veri, Kosova ende pa përgjigje në kërkesat e SHBA-së e BE-së

Nga vizita në Kosovë tha se ka pritur më shumë. Kështu u shpreh ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak gjatë ditës së diel. Ai vizitoi Kosovën dhe Serbinë bashkë me Gabriel Escobar, përfaqësuesin amerikan për Ballkanin Perëndimor. E për këto vizita, Lajçak thotë se ka shpresuar më shumë. Sidoqoftë, për gjithçka tha se do t’iu […]

Kriza në veri, Kosova ende pa përgjigje në kërkesat e SHBA-së e BE-së

Nga vizita në Kosovë tha se ka pritur më shumë. Kështu u shpreh ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak gjatë ditës së diel.

Ai vizitoi Kosovën dhe Serbinë bashkë me Gabriel Escobar, përfaqësuesin amerikan për Ballkanin Perëndimor.

E për këto vizita, Lajçak thotë se ka shpresuar më shumë. Sidoqoftë, për gjithçka tha se do t’iu raportojë vendeve të Bashkimit Evropian.

“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim”.

“Ne kontaktuam edhe liderët e opozitës shqiptare të Kosovës, duke shpjeguar pasojat e krizës aktuale dhe dëmin që ajo shkakton në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre mbështetjen e tyre për një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, tha Lajçak.

Po ashtu edhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në ka bërë të ditur se të shtunën në mëngjes ka raportuar në Shtëpinë e Bardhë lidhur me vizitën e tij në Prishtinë e Beograd.

Emisari amerikan ka njoftuar se mëngjesin e të shtunës është ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të raportuar rreth rezultateve nga udhëtimi i tij në të dyja vendet.

Escobar kishte paralajmëruar që si ai, po ashtu edhe Lajçak do t’i raportonin eprorëve të tyre për vizitat e zhvilluara në Kosovë dhe Serbi, për të vendosur më pas hapat e mëtejmë.

Escobar gjithashtu në një intervistë të fundit ka ripërsëritur kërkesat e ShBA-së për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës në komunat veriore, dhe kthimi i fokusit te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e që sipas tij kjo nënkupton për Kosovën fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Emisari amerikan gjithashtu ka folur edhe për Kryeministrin Kurti, për të cilin tha se është partner i tyre, ani pse sipas tij ndonjëherë është i vështirë.

“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar Escobar.

Kosova ende pa përgjigje në kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në deklarimet e tij thuajse të përditshme ka lënë të kuptohet se Qeveria e tij nuk do të tërhiqet, pavarësisht presionit në rritje nga SHBA dhe BE-ja rreth çështjes së veriut.

Kurti ka këmbëngulur se duhet të jetë Beogradi, ai që duhet të bëjë hapin e parë.

“Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj,” tha së fundmi kryeministri Albin Kurti në një intervistë telefonike për Bloomberg, përcjell Reporteri.

“Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme,” tha ai. “Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, ka thënë Kurti.

Qëndrimi i Kurtit për veriun nuk ka ndryshuar edhe pas vizitave të kësaj jave në Kosovë të ndërmjetësit evropian në dialog Miroslav Lajçak dhe të emisarit amerikan, Gabriel Escobar.

Ai ka deklauar Kosovës i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje, teksa shtoi se ndërkohë Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i japin fund trazirave.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin gjatë kësaj jave.