Kryeministri i Maqedonisë së Veriut kërkoi falje për sulmet verbale ndaj deputetëve shqiptarë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut kërkoi falje për sulmet verbale ndaj deputetëve shqiptarë

Kryeministri Mickoski kërkoi falje për incidentet në Kuvend

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kërkuar falje për incidentet që shënuan seancën parlamentare për rindërtimin e Qeverisë, pas akuzave për fyerje dhe sulme verbale ndaj deputetëve nga kandidati për ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq.

Sipas opozitës, gjatë pauzës së seancës, Ivan Stoilkoviq ka sulmuar verbalisht deputetë të LSDM-së, ndërsa deputetja e BDI-së, Arta Bilalli-Zendeli, ka bërë të ditur se objekt i sulmit verbal ka qenë edhe deputetja shqiptare Arbana Pasholli.

Në reagimin e saj, Bilalli-Zendeli e cilësoi sjelljen e Stoilkoviqit si të papranueshme dhe ofenduese, duke theksuar se sulmi i tij ishte i drejtuar kundër vlerave të bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet komuniteteve.

“Arbana Pasholli sot u sulmua verbalisht nga zëvendëskryeministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Etnike i Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM, Ivan Stoilkoviq, gjatë pauzës së seancës në të cilën ai pritej të zgjidhej ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Është kjo një sjellje e papranueshme, jonormale dhe pa dyshim ofenduese, jo vetëm ndaj Arbanës, por ndaj të gjitha nënave, grave, bijave dhe vajzave shqiptare në politikë. Sulmi dhe sjellja e tij ofenduese ndaj një deputeteje shqiptare vetëm sa na i sjell në vëmendje qëndrimet e tij të hapura antishqiptare”, shkroi Bilalli-Zendeli.

Grupi parlamentar i LSDM-së njoftoi se Ivan Stoilkoviq gjatë debatit kishte fyer edhe deputetët Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçulleski.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, deklaroi se edhe kryeministri Hristijan Mickoski kishte përdorur gjuhë fyese ndaj deputetëve, duke i quajtur ata “mizogjenë” dhe “plehra”. Ai kritikoi edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për mungesën e reagimit ndaj zhvillimeve në sallë.

Deputetët e opozitës reaguan pasi, sipas tyre, ishte arritur pajtim për të miratuar një konkluzion për dënimin e sjelljes së Stoilkoviqit, por ai nuk kërkoi falje. Në shenjë proteste, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën.

Aleanca për Shqiptarët deklaroi se çdo provokim apo deklaratë që cenon vlerat e bashkëjetesës do të marrë përgjigjen e merituar politike dhe institucionale.

Pas zhvillimeve, kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi falje për ngjarjet e ndodhura në Kuvend, duke u shprehur se shpreson që kjo të mos përsëritet më.

“Si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që kjo të mos na ndodhë më kurrë”, deklaroi Mickoski.

Me pak fjalë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kërkoi falje për incidentet në Kuvend, pas sulmeve verbale të deputetit Ivan Stoilkoviq ndaj deputetëve shqiptarë. Opozita reagoi duke braktisur seancën në shenjë proteste ndaj sjelljes së papranueshme.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.