Kurti ra pre e mashtrimit nga dy komedianë rusë, reagon Zyra e Kryeministrit
Komedianët e njohur rusë, “Vovan & Lexus”, kanë publikuar një video ku pretendojnë se kanë mashtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u paraqitur si presidenti i Letonisë. Lidhur me këtë incident ka reaguar Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, thirrja mashtruese ka ndodhur më 11 shkurt, menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Komedianët e njohur rusë, “Vovan & Lexus”, kanë publikuar një video ku pretendojnë se kanë mashtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u paraqitur si presidenti i Letonisë.
Lidhur me këtë incident ka reaguar Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, thirrja mashtruese ka ndodhur më 11 shkurt, menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kryeministri po merrte shumë telefonata dhe mesazhe urimi për rezultatin zgjedhor.Për shkak të kufizimeve kohore, verifikimi i plotë i çdo thirrjeje nuk ka qenë gjithmonë i mundur.
“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate. Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.
Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhje për këtë incident, por njëkohësisht ka theksuar se ky rast konfirmon qëndrimin e palëkundur të Kryeministrit Kurti mbi çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe private.