“Kushtetuta është mbi çdo parti e lider”, Çitaku kërkon konstituimin e Kuvendit

“Kushtetuta është mbi çdo parti e lider”, Çitaku kërkon konstituimin e Kuvendit

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar situatën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se marrëveshjet politike nuk mund të jenë mbi Kushtetutën.

Çitaku ka theksuar se dialogu dhe debati janë pjesë normale e demokracisë parlamentare, por sipas saj, shkelja e Kushtetutës nuk mund të normalizohet.

“Në një demokraci parlamentare, dialogu e debati, janë normale, por çka nuk është normale në një demokraci parlamentare e evropiane, është shkelja e Kushtetutës, ajo nuk guxon të shndërrohet në normalitet. Marrëveshjet politike mes partive, palëve të ndryshme nuk i mbivendosen Kushtetutës. Ajo është mbi çdo parti e lider. E kushtetuta kërkon nga ne që ta konstituojmë Kuvendin dhe të themelojmë institucionet”.

Ajo ka përmendur edhe kohën e kaluar nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025, duke thënë se fokusi politik është larguar nga problemet e qytetarëve, transmeton Klankosova.tv.

“Kanë kaluar 555 ditë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025. Ne flasim për pozita e poste të pushtetarëve dhe na pamundësohet që të flasim për brengat dhe hallet e qytetarëve”, deklaroi deputetja e PDK-së.

Sipas Çitakut, Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe vendi për konstituimin e Kuvendit është pikërisht salla e Kuvendit.

“Kosova ka nevojë për institucione dhe vendi është këtu në këtë sallë. E ftojmë deputetin Kurti dhe Haxhiu dhe të gjithë, të vijnë në sallë dhe të konstituojnë kuvendin dhe të ecim tutje”.

Deputetja e PDK-së ka reaguar edhe ndaj kritikave dhe deklarimeve publike të pushtetit, duke i cilësuar si “leksione” që nuk i pranon.

“Nuk pranojmë leksione publike e as morale, ata janë shkelës serikë të Kushtetutës dhe nuk brengosen fare, Kushtetuta përkatësisht, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, i kristaltë, dhe aty u kërkohet që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, pra ta përmbyllin procesin e konstituimit”, u shpreh ajo para mediave./Klankosova.tv

The post “Kushtetuta është mbi çdo parti e lider”, Çitaku kërkon konstituimin e Kuvendit appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.