Kuvendi i Kosovës sot voton për Ligjin për Specialen – në mes të afatit për zgjedhjen e presidentit

Kuvendi i Kosovës sot voton për Ligjin për Specialen – në mes të afatit për zgjedhjen e presidentit

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, ku në pikën e parë të rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të njohur si Ligji për Gjykatën Speciale.

Seanca plenare është caktuar për në orën 09:00, ndërsa para saj, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion do ta shqyrtojë projektligjin.

Nisma për ndryshimin e ligjit është ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa projektligji përmban 27 ndryshime të propozuara në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Qeveria e Kosovës më 2 tetor ka deklaruar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e kësaj nisme në Kuvend. Në përgjigjen e saj janë përfshirë edhe vlerësimi për përputhshmërinë me acquis të Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe opinionin juridik për përmbajtjen e projektligjit.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se projektligji është çështje komplekse dhe kërkon shqyrtim të mëtejshëm të specializuar, veçanërisht për përputhshmërinë me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka insistuar që ndryshimet në Ligjin për Specialen të miratohen në të dy leximet. Ai ka deklaruar se pas përfundimit të këtij procesi, PDK-ja është e gatshme të japë votat për zgjedhjen e presidentit.

Votimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm institucional për Kosovën, pasi 6 tetori është afati i fundit i përcaktuar për zgjedhjen e presidentit. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Për këtë arsye, zhvillimet në Kuvend sot pritet të jenë në fokus të veçantë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse deputetët do të arrijnë marrëveshje për procedimin e mëtejshëm të projektligjit dhe nëse do të ketë votim edhe përtej leximit të parë.

Ndërkohë, qytetarë dhe përkrahës të ish-pjesëtarëve të UÇK-së kanë qëndruar gjatë natës pranë ndërtesës së Kuvendit, duke kërkuar miratimin e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Specialen.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.