Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër (LISZ) gëzon përkrahje të gjerë në ceremoninë e hapjes në Cyrih

Të shtunën, më 12 shtator 2026, në Wallisellen të Cyrihut, Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër (LISZ) bëri bashkë infermierë nga pjesë të ndryshme të Zvicrës, si dhe mysafirë nga Kosova, në ceremoninë e saj të hapjes. Ky takim shënoi njëherësh paraqitjen e parë publike të LISZ si organizim profesional i infermiereve dhe infermierëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Ceremonia u zhvillua në Andulino, ndërsa moderimi iu besua redaktores së albinfo.ch, Pritë Bytyçit.
Në qendër të mbrëmjes ishte prezantimi i vizionit të LISZ nga presidentja e saj, Yllka Zuzaku-Mustafa, e cila e nisi fjalimin me një vështrim mbi historinë e infermierisë dhe transformimin e saj nga përkujdesja njerëzore në një profesion të bazuar në dije, kompetencë, përgjegjësi dhe shkencë.
“Historia e infermierisë nuk fillon në një universitet. Nuk fillon me një diplomë. Dhe në të vërtetë, nuk fillon as në një spital. Historia e infermierisë fillon shumë më herët – në momentin kur një njeri është kujdesur për një njeri tjetër”, ishte një nga mesazhet me të cilat Zuzaku-Mustafa hapi prezantimin e saj.
“Kemi histori të ndryshme, por një profesion të përbashkët”
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua infermiereve dhe infermierëve shqiptarë në Zvicër. Disa prej tyre janë shkolluar këtu, ndërsa të tjerë kanë ardhur me diploma dhe përvojë profesionale nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo vende të tjera.
Pikërisht këtu, sipas presidentes së LISZ, qëndron edhe potenciali i organizimit të ri: “Kemi histori të ndryshme. Kemi rrugë të ndryshme. Por kemi një profesion të përbashkët. Dhe kemi shumë për t’i dhënë këtij profesioni”.
Sipas saj, në Zvicër ka shumë infermiere dhe infermierë shqiptarë me dije, përvojë dhe profile të ndryshme profesionale, por që shpesh nuk e njohin njëri-tjetrin. Pikërisht nga nevoja për ta bashkuar këtë potencial ka lindur LISZ.
“Pikërisht nga kjo ide ka lindur LISZ – Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër. Një zë i përbashkët. Një vizion i përbashkët”, tha Zuzaku-Mustafa.
Fuqizimi i profesionit, rrjetëzimi dhe arsimimi
LISZ e ka ndërtuar misionin e saj mbi katër shtylla kryesore: vlerësimin e profesionit, rrjetëzimin profesional, arsimimin dhe zhvillimin, si dhe cilësinë dhe sigurinë e pacientit. Synimi është “të fuqizojmë profesionin, të lidhim njerëzit, të ndajmë dijen dhe të ndërtojmë ura”.
Një nga mesazhet më të fuqishme të mbrëmjes kishte të bënte edhe me mënyrën se si perceptohet vetë profesioni i infermierisë.
“Ne nuk jemi ‘vetëm’ infermierë. Ne jemi profesionistë të shëndetësisë. Kemi dije. Kemi kompetenca. Marrim vendime. Mbajmë përgjegjësi. Dhe puna jonë ka vlerë”, theksoi presidentja e LISZ.
Organizata synon gjithashtu të mbështesë profesionistët që kanë ardhur në Zvicër me diploma nga jashtë vendit dhe që përballen me sfida që lidhen me gjuhën, dokumentacionin, njohjen e diplomave dhe kualifikimet. Sipas vizionit të prezantuar, askush nuk duhet ta përshkojë këtë rrugë vetëm, ndërsa LISZ synon të ofrojë orientim dhe të krijojë një rrjet profesional.
Një urë mes komunitetit shqiptar dhe sistemit shëndetësor zviceran
Një tjetër dimension i LISZ është roli që profesionistët shqiptarë mund të luajnë për pacientët dhe familjet shqiptare në Zvicër.
“Ne e njohim gjuhën. E njohim kulturën. E njohim sistemin zviceran”, tha Zuzaku-Mustafa, duke nënvizuar se infermierët shqiptarë mund të jenë një urë e rëndësishme për pacientët dhe familjet shqiptare drejt sistemit shëndetësor zviceran, veçanërisht në edukimin shëndetësor, parandalimin dhe orientimin.
Por ambicia e LISZ shkon përtej Zvicrës. Organizata synon të krijojë ura profesionale edhe me Kosovën përmes trajnimeve, projekteve, shkëmbimeve profesionale dhe bashkëpunimit me institucione.
Zuzaku-Mustafa theksoi se ky bashkëpunim nuk duhet kuptuar si një proces i njëanshëm, ku Zvicra i transmeton dije Kosovës.
“Duam shkëmbim. Sepse edhe në Kosovë ka profesionistë të shkëlqyer dhe përvoja nga të cilat ne mund të mësojmë. Të dyja palët kanë diçka për të dhënë”, tha ajo.
Mbështetje për LISZ dhe gatishmëri për bashkëpunim
Programi i ceremonisë solli së bashku edhe përfaqësues të institucioneve, organizatave profesionale dhe të fushës së shëndetësisë nga Zvicra dhe Kosova.
Në ceremoninë e parë të LISZ mori pjesë edhe deputeti shqiptar në Këshillin Kombëtar të Zvicrës, Arbër Bullakaj, i cili përgëzoi drejtuesit dhe anëtarët e Lidhjes për themelimin dhe organizimin e tyre profesional. Bullakaj vlerësoi rëndësinë e krijimit të një strukture që bashkon profesionistët shqiptarë të shëndetësisë dhe shprehu gatishmërinë për mbështetje dhe bashkëpunim në të ardhmen.
Delegacioni nga Kosova, i udhëhequr nga MSc. Lulzim Gashi, udhëheqës në Divizionin e Infermierisë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).Mysafir special nga Kosova ishte MSc. Lulzim Gashi, udhëheqës në Divizionin e Infermierisë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Gashi përgëzoi nismën dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim profesional dhe shkëmbim përvojash ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë në Kosovë dhe Zvicër. Me humor dhe me një theks të veçantë në rolin e infermierëve, ai shtoi:
“Kur mjeku thotë se pacienti është stabil, qetësohen familjarët; kur këtë e thotë infermieri apo infermierja, atëherë rri i qetë edhe mjeku.”
Një mesazh të rëndësishëm bashkëpunimi përcolli edhe Gazmend Haliti, kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër. Ai përgëzoi themelimin e LISZ dhe shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër. Ky bashkëpunim mund të krijojë hapësirë për iniciativa dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen në fushën e shëndetësisë.
Dr. med. Hekuran Bytyçi, i cili kishte ardhur enkas nga Lugano për ta përshëndetur krijimin e LISZ, foli për mundësitë e ndërlidhjes me organizatën e re dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar lidhjet mes profesionistëve shqiptarë të fushës së shëndetësisë në Zvicër. Në programin zyrtar, paraqitja e tij ishte paraparë pikërisht me temën “Bashkëpunimi me LISZ”.
Ndërkaq, Valdete Hoti, presidente e Shoqatës Parandalo, solli në takim perspektivën e pacientëve përmes një fjalimi prekës dhe gjithëpërfshirës, duke vënë theksin te rëndësia që “zëri i pacientëve” të jetë në qendër.
“Duam të krijojmë një komunitet profesional”, theksoi ajo.
Kryesia e LISZ përbëhet nga Yllka Zuzaku-Mustafa, presidente; Antigona Kicaj, nënkryetare dhe udhëheqëse e Strategjisë dhe Bashkëpunimeve; Vlora Zeka, udhëheqëse e Njësisë Profesionale për Kujdes dhe Cilësi; Fidan Hoti, udhëheqës i Financave, dhe Xheneta Zuzaku, udhëheqëse e Arsimit dhe Zhvillimit Profesional.
Në fjalën e saj, Zuzaku-Mustafa nënvizoi se LISZ nuk synon thjesht të mbledhë anëtarë, por të krijojë një komunitet profesional ku të ketë vend për infermierët e fushave të ndryshme, studentët, profesionistët me përvojë shumëvjeçare dhe ata që sapo kanë ardhur në Zvicër.
Mesazhi përmbyllës i prezantimit përmblodhi edhe ambicien e organizatës së re:
“Ne nuk jemi vetëm infermierë. Ne jemi dije. Ne jemi kompetencë. Ne jemi përgjegjësi. Ne jemi Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër.”
Ceremonia u mbyll me falënderime për mysafirët, bashkëpunëtorët, partnerët dhe sponsorët, ndërsa mbrëmja vazhdoi me apero dhe muzikë nga Skender Kelmendi.
Foto Credit: Gent Mersinaj/albinfo.ch
The post Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër (LISZ) gëzon përkrahje të gjerë në ceremoninë e hapjes në Cyrih appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



