BDI: VLEN maltreton mërgatën, kjo sjellje çnjerëzore dhe poshtëruese duhet të marrë fund

Komunikata e plotë e BDI-së:
Pamjet nga vendkalimi kufitar në Tabanoc, me mërgimtarë të detyruar të presin në kushte të rënda dhe temperatura përvëluese, janë të papranueshme dhe shqetësuese. Mërgata jonë nuk meriton maltretim, pritje poshtëruese dhe trajtim që cenon dinjitetin njerëzor.
Këta janë njerëzit që për dekada kanë mbajtur gjallë familjet e tyre dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit. Në vend që institucionet t’u krijojnë kushte për një kalim të shpejtë dhe dinjitoz, ata përballen me radhë, pritje dhe procedura që në kulmin e sezonit veror shndërrohen në maltretim të vërtetë.
Askush nuk konteston zbatimin e ligjit dhe as pagesën e dënimeve të ligjshme. Por zbatimi i ligjit nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në trajtim çnjerëzor. Institucionet kanë detyrim të organizohen në mënyrë që çdo procedurë të zhvillohet me efikasitet dhe me respekt të plotë për qytetarët.
VLEN është pjesë e kësaj Qeverie dhe mban përgjegjësi për mënyrën se si trajtohen qytetatët në institucionet e shtetit. Heshtja përballë pamjeve nga Tabanoci është e pafalshme. Mërgimtari nuk është barrë dhe nuk është armik i shtetit. Ai është qytetar që meriton respekt dhe dinjitet.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



