A do të ketë marrëveshje VV-LDK, Cakolli paralajmëron

Para seancës konstituive, Eugen Cakolli nga KDI ka vlerësuar se pritjet për një marrëveshje të shpejtë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së janë jorealiste.
Sipas tij, ndryshe nga viti 2019 kur të dyja partitë kishin më shumë interes për bashkëpunim, aktualisht LVV-ja ka më shumë hapësirë për të pritur pa u dëmtuar politikisht, ndërsa LDK-ja dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, përballen me presion më të madh politik. Cakolli thekson se pala që ka më shumë nevojë për marrëveshje zakonisht ka më pak fuqi negociuese.
Postimi i plotë:
Pak jorealiste këto pritjet optimiste që marrëveshja politike mes LVV-së dhe LDK-së do të arrihej vetëm dy ditë para seancës konstituive.
Një marrëveshje e tillë “në kohë” – para seancës konstituive – nuk u pat arritur as pas zgjedhjeve të vitit 2019. Atëherë, të dyja partitë kishin shumë më tepër nevojë për njëra-tjetrën, bashkimi i tyre shihej gjerësisht si “koalicioni i shpresës”, ndërsa në zgjedhje i ndanin më pak se 2%. E lëre më tash, kur LVV-ja i ka gati trefishin e votave dhe të mandateve të LDK-së.
Tash për tash, Kurti dhe LVV-ja e kanë luksin të presin, e madje edhe të mos arrijnë fare marrëveshje, pa u penalizuar edhe aq shumë elektoralisht. LDK-ja dhe sidomos Abdixhiku nuk e kanë të njëjtin luks, meqë për ta kjo s’është thjesht çështje e formimit të institucioneve, por edhe e fatit politik.
Në fund të fundit, sa më shumë nevojë ka njëra palë për marrëveshje, aq më pak arsye ka pala tjetër të nxitojë.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



