Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë

Reprezentuesi i Kosovës, Valmir Matoshi, i është bashkuar skuadrës austriake, Sturm Graz.
Sturm Grazi të hënën e ka zyrtarizuar transferimin e Matoshit.
Klubi austriak ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me FC Thun, kampionin aktual të Zvicrës, për transferimin e mesfushorit 23-vjeçar. Matoshi ka nënshkruar kontratë afatgjatë me Sturm Graz
Matoshi është shtetas i Zvicrës dhe Kosovës dhe është produkt i akademisë së Thunit. Për klubin zviceran ai ka zhvilluar gjithsej 121 paraqitje, duke shënuar 18 gola dhe dhuruar 10 asistime.
Matoshi është transferuar te Sturm Grazi nga Thuni për 1 milionë euro.
“Sturm ka krijuar një emër shumë të mirë në arenën evropiane, edhe këtë vit do të luajë në ‘Europa League’ dhe gjithmonë ka synime të mëdha. Këtë ma kanë bërë të qartë edhe në bisedat shumë të mira që kam pasur me drejtuesit sportivë në Graz. Prandaj, mund ta identifikoj plotësisht veten me këtë detyrë dhe këtë rol këtu”, u shpreh mesfushori Matoshi.
Drejtori sportiv i Sturm Grazit, Michael Parensen, është i lumtur për transferimin e Matoshit.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që arritëm të transferojmë Valmir Matoshin. Është një lojtar që vrapon jashtëzakonisht shumë dhe angazhohet maksimalisht, duke qenë shumë intensiv si në fazën e mbrojtjes, ashtu edhe në lojën me topin”.
Matoshi, edicionin e kaluar me Thunin, e fitoi titullin e kampionit të Zvicrës.
23-vjeçari Matoshi është zhvilluar si futbollist te Thuni, kurse pjesë e skuadrës së parë ishte nga viti 2022.
Matoshi me Përfaqësuesen e Kosovës ka dy paraqitje dhe një gol të shënuar.
The post Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



