Maxwell lë burgun e sigurisë së lartë/ Transferimi shihet me shqetësim, shkak lidhjet e saj me figurat politike
Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein, është transferuar nga një burg në Florida në një institucion të sigurisë minimale në Teksas. Lajmi u konfirmu nga autoritetet Amerikane. Maxwell, e cila po vuan një dënim 20-vjeçar për trafikim seksual, vazhdon përpjekjet për të ankimuar vendimin e saj në Gjykatën e Lartë të [...]Read More...

Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein, është transferuar nga një burg në Florida në një institucion të sigurisë minimale në Teksas. Lajmi u konfirmu nga autoritetet Amerikane.
Maxwell, e cila po vuan një dënim 20-vjeçar për trafikim seksual, vazhdon përpjekjet për të ankimuar vendimin e saj në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe gjithashtu ka kërkuar falje presidenciale nga Presidenti Donald Trump. Gjatë muajit korrik, ajo zhvilloi dy takime me Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, detajet e të cilave nuk janë bërë publike.
Transferimi i saj në burgun federal FPC Bryan, rreth 160 kilometra larg kryeqytetit të Teksasit, Austin, ka ngjallur debat dhe spekulime, veçanërisht për shkak të afërsisë së saj me figurat e larta politike dhe implikimeve të mundshme në dosjen Epstein. Zyra për Burgjet Federale konfirmoi të premten se Maxwell ndodhet në këtë institucion të ri, por nuk dha arsyet për transferimin.
Avokati i Maxwell, David Oscar Markus, konfirmoi zhvendosjen, por nuk komentoi më tej. Ndërkohë, familja e Virginia Giuffre – një prej viktimave më të njohura të Epstein – ka reaguar ashpër, duke e cilësuar transferimin si një formë trajtimi preferencial për një “kriminele dhe abuzues seksual të fëmijëve”, të bërë pa asnjë njoftim për viktimat.
“Ky është një dështim i sistemit të drejtësisë përballë syve tanë,” thuhej në deklaratën e tyre. “Publiku amerikan duhet të indinjohet nga ky trajtim i veçantë për një pedofile të dënuar.”
FPC Bryan është një burg me rrezik të ulët ku ndodhen rreth 650 gra, shumica e të cilave janë të dënuara për krime jo të dhunshme dhe shkelje financiare
Krahasuar me burgun e mëparshëm FCI Tallahassee në Florida, ku Maxwell qëndronte me mbi 800 të burgosur (burra dhe gra), FPC Bryan ofron kushte më të qeta. Të burgosurat banojnë në ambiente të hapura dhe kanë qasje në klasa gjuhe, biznesi, aktivitete sportive, shërbime fetare dhe komunikim me video me familjarët.
Vetëm pak ditë më parë, ekipi ligjor i Maxwell deklaroi se ajo ishte e gatshme të dëshmonte para Kongresit për informacionin që ka mbi rrjetin e Epstein, por kërkoi mbrojtje ligjore të rreptë. Megjithatë, dëshmia e planifikuar për më 11 gusht u shty pa afat nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetari i komisionit, James Comer, tha se nuk do t’i ofrohej asaj imunitet apo pyetje të parapërgatitura, siç kishte kërkuar avokati i saj.
Ndërkohë, Presidenti Trump është nën presion të shtuar për të zbuluar dokumente e lidhur me çështjen Epstein, pas premtimeve të bëra gjatë fushatës së tij të fundit. Ai i ka quajtur këto kërkesa si përpjekje politike për të larguar vëmendjen nga arritjet e tij që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse kërkesa e Maxwell për falje presidenciale do të merret në konsideratë apo nëse dëshmia e saj do të zbardhë emra të rinj të përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të abuzimit seksual në dekadat e fundit.