Merz: Europa do të rrisë fondet për mbrojtjen e përbashkët

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar kritikat e shprehura nga presidenti amerikan Donald Trump në lidhje me kontributin e pamjaftueshëm financiar të vendeve evropiane për sigurinë kolektive. Në një intervistë për rrjetin britanik BBC, Merz konfirmoi se pas samitit të mbajtur në Hagen një muaj më parë, vendet partnere kanë rënë dakord për rritjen e [...]Read More...

Merz: Europa do të rrisë fondet për mbrojtjen e përbashkët

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar kritikat e shprehura nga presidenti amerikan Donald Trump në lidhje me kontributin e pamjaftueshëm financiar të vendeve evropiane për sigurinë kolektive. Në një intervistë për rrjetin britanik BBC, Merz konfirmoi se pas samitit të mbajtur në Hagen një muaj më parë, vendet partnere kanë rënë dakord për rritjen e angazhimeve buxhetore në fushën e mbrojtjes.

“E dimë që duhet të bëjmë më shumë. Ata po na kërkojnë të bëjmë më shumë dhe ne po e bëjmë këtë. Besoj se tashmë jemi në të njëjtën linjë. Ne nuk jemi mjaftueshëm të fortë, ushtria jonë nuk është mjaftueshëm e fortë, prandaj po shpenzojmë shumë para,” deklaroi ai.

Merz theksoi se marrëdhëniet me presidentin Trump janë të mira dhe bashkëpunimi ndërmjet dy liderëve është i rregullt, sidomos në çështje që lidhen me Ukrainën dhe tregtinë.

“Po përpiqemi të sjellim fundin e kësaj lufte. Po koordinohemi për Ukrainën dhe për tarifat tregtare. Flasim në telefon një herë në javë, po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare,” shtoi ai.

Që nga marrja e detyrës, Merz është pozicionuar fort kundër Rusisë. Ai ka qenë ndër liderët e parë evropianë që udhëtuan në Kiev me tren, së bashku me përfaqësues të tjerë të BE-së, për të dhënë një mesazh mbështetjeje për Ukrainën në përballjen me agresionin rus.

“Rusia është një kërcënim për paqen dhe rendin politik në Europë, jo vetëm për Ukrainën,” deklaroi kancelari gjerman.

Në sfondin e kësaj situate gjeopolitike, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në negociata për të rivendosur një balancë në marrëdhëniet tregtare. Ndërkohë, administrata Trump ka paralajmëruar se vetëm disa ditë ndajnë Evropën nga zbatimi i tarifave 30% për një sërë mallrash, duke e shtuar urgjencën e këtyre bisedimeve./abcnews.al