Milan nuk ndalet! Amorim i jep shansin e artë yllit që kërkon të shpërthejë

Milani do të zhvillojë sot një ndeshje miqësore me dyer të mbyllura ndaj Padovës, skuadër që garon në Serie B. Takimi do të luhet në Milanello dhe do të nisë në orën 11:30.
Kjo sfidë do të shërbejë si përmbyllje e javës së shkurtër stërvitore të kuqezinjve, e cila nisi të martën. Pas përballjes me Padovën, trajneri Ruben Amorim pritet t’u japë lojtarëve pushim gjatë fundjavës.
Në këtë miqësore pritet të ketë hapësirë edhe për disa futbollistë të Milan Futuro, ndërsa për shumë prej lojtarëve të ekipit të parë do të jetë një mundësi për të treguar vlerat e tyre përpara stafit teknik.
Hutchinson, në kërkim të një shansi
Në Milanello kanë mbetur 12 futbollistë të ekipit të parë, të cilët për arsye të ndryshme nuk janë grumbulluar me kombëtaret.
Dy prej tyre janë portierët Pietro Terracciano dhe Lorenzo Torriani, ndërsa Alexis Saelemaekers po punon veçmas pas dëmtimit në kyçin e këmbës të pësuar të martën.
Një nga lojtarët që pritet të jetë më shumë në vëmendje është Omari Hutchinson. Sulmuesi ka pasur deri tani pak minuta në dispozicion për të treguar potencialin e tij dhe sfida ndaj Padovës mund t’i japë mundësinë të fitojë terren në hierarkinë e skuadrës.
Por Hutchinson nuk është i vetmi që kërkon të bindë Amorimin.
Edhe të rinjtë si Christian Comotto pritet të kenë minuta, ndërsa mundësi mund të ketë edhe për Fikayo Tomorin, i cili është rikthyer në grup pas dështimit të largimit gjatë verës.
Një tjetër emër interesant është Sankhoun Diawara, i cili ende nuk ka pasur shumë mundësi për të treguar veten.
Pulisic dhe Gabbia kërkojnë ritmin
Për disa lojtarë, kjo miqësore do të jetë më shumë një mundësi për të fituar minuta dhe për të rikuperuar formën fizike.
Në këtë kategori përfshihet Matteo Gabbia, i cili deri tani ka qëndruar jashtë fushës, por edhe Christian Pulisic, i cili nuk u grumbullua nga kombëtarja amerikane.
Në dispozicion të Amorimit do të jenë gjithashtu Filippo Terracciano, Mario Gila dhe Ruben Loftus-Cheek.
Ndeshja ndaj Padovës nuk do të transmetohet në televizion, por për shumë prej lojtarëve të Milanit ajo përbën një test të rëndësishëm për të fituar besimin e trajnerit.
Pas kësaj sfide, skuadra do të rikthehet në stërvitje të hënën për të nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Sassuolos, më 11 tetor. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



