MPJD mirëpret marrëveshjen e paqes Izrael-Hamas
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka mirëpritur njoftimin për arritjen e marrëveshjes së paqes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. MPJD në reagimin e saj në Facebook, ka vlerësuar lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka mirëpritur njoftimin për arritjen e marrëveshjes së paqes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
MPJD në reagimin e saj në Facebook, ka vlerësuar lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, dhe ka përgëzuar përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë, Katarit dhe Egjiptit, të cilat, sipas saj, kanë qenë thelbësore për arritjen e këtij zhvillimi historik.
“Marrëveshja përfaqëson një hap vendimtar në zbatimin e fazës së parë të nismës për paqe në Gaza të Presidentit Trump, duke mundësuar vendosjen e një armëpushimi të plotë, lirimin e pengjeve dhe zgjerimin e ndihmës humanitare për civilët në nevojë në Gaza”, thuhet në reagim.
MPJD ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së jetës njerëzore.
“Republika e Kosovës rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, dhe shpreh besimin se ky zhvillim historik do të hapë rrugën për një stabilitet të qëndrueshëm që do të sjellë përfitime për të gjithë popujt e rajonit”.