Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjes me Forcë “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”

Gjeneva do të shënojë të dielën, më 30 gusht 2026, një ditë të veçantë kujtese, solidariteti dhe angazhimi për të vërtetën dhe drejtësinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Forcë.
Me këtë rast, Gjeneva do të mirëpresë edicionin e dytë të Marshit për Drejtësi, të iniciuar nga Shoqata Kulturore Dora d’Istria.
Kryetarja e Qytetit të Gjenevës, znj. Christina Kitsos, do të jetë përfaqësuesja e lartë e autoriteteve komunale dhe do të marrë rolin e autoritetit mikpritës të kësaj dite të rëndësishme përkujtimore. Ajo do ta hapë zyrtarisht ceremoninë që do të mbahet në Sheshin e Kombeve, duke shënuar kështu angazhimin e Gjenevës për kujtesën, të vërtetën, drejtësinë dhe solidaritetin me familjet e personave të zhdukur.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve kantonale dhe komunale të Gjenevës, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të trupit diplomatik, të organizatave ndërkombëtare, të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të prekura nga tragjedia e zhdukjeve me forcë.
Ky marsh paqësor do të bashkojë shoqata të shumta, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të disa komuniteteve që jetojnë në Gjenevë, veçanërisht komunitetin shqiptar të Kosovës, si dhe komunitetet boshnjake, ukrainase, kiliane, argjentinase, palestineze, kroate e të tjera, të gjitha të prekura nga tragjedia e zhdukjeve me forcë. Së bashku, ato do të përcjellin një mesazh kujtese, solidariteti dhe mbështetjeje për familjet e personave të zhdukur në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë.
Tubimi i pjesëmarrësve është paraparë nga ora 13:30 në Parc des Cropettes, ndërsa nisja e marshit do të bëhet në orën 14:00 nën përcjellje të eskortit të sigurimit shtetror. Marshi do të kalojë nëpër Rue de Montbrillant dhe Avenue de France për të mbërritur në Sheshin e Kombeve, ku deri në orën 17:00 do të zhvillohet programi zyrtar, me fjalime të disa personaliteteve, performanca artistike dhe homazhe në kujtim të viktimave të zhdukjes me forcë.
Në Sheshin e Kombeve nga ora 13:30 deri në 17:00 do të prezentohet vepra e artistit Ramë Dardania, një instalacion monumental artistike i paparë ndonjë herë. Artistë të mërgatës nga Ilirët, Vatra dhe Bashkimi do të performojnë pjesë kulturore shqiptare.
Aktorja Ardita Kamberi dhe Ibrahim Xhaferaj do të madhështojnë ngjarjen.
Programi do të vazhdojë në orën 19:00 me një mbrëmje të veçantë kushtuar Ukshin Hotit, figurë emblematike e Kosovës, i rrëmbyer me forcë më 16 maj 1999, një ditë para lirimit të tij nga Burgu i Dubravës, dhe që prej asaj dite konsiderohet i zhdukur.
Në qendër të kësaj mbrëmjeje do të jetë trashëgimia e tij intelektuale, përmes prezantimit të veprës «Bisedë përmes grilave».
Gjatë viteve kur Ukshin Hoti mbahej i burgosur në Nish nga regjimi serb, mes tij dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare kishte lindur një dialog i jashtëzakonshëm.
Njëri shkruante nga Parisi.
Tjetri përgjigjej nga qelia e tij.
Nuk ndanin të njëjtën hapësirë, por ndanin të njëjtën liri të mendimit.
Nga kjo korrespondencë sot kemi një dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe njerëzore, e përkthyer tashmë në frëngjisht nga Sébastien Gricourt, i cili do të jetë i pranishëm në këtë mbrëmje së bashku me Andin Hotin, djalin e Ukshin Hotit dhe ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Driton Kajtazin, Ag Apollonin etj.
Kjo ditë do t’i kushtohet së drejtës për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën për të gjitha viktimat e zhdukjes me forcë, si dhe mbështetjes për të afërmit dhe familjet e tyre, të cilat prej dekadash vazhdojnë të presin përgjigje.
Të nesërmen, të hënën më 31 gusht, në orën 14:30, një delegacion do të pritet në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë nga Sekretariati i Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë. Delegacioni do të dorëzojë zyrtarisht mesazhin e përcjellë nga Marshi për Drejtësi, « Një letër nga Kosova » dhe do të paraqesë shqetësimet dhe kërkesat e familjeve të personave të zhdukur, të cilat prej shumë vitesh kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe të drejtën për të mësuar fatin e të afërmve të tyre.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj kauze humane dhe universale janë të ftuar përzemërsisht të marrin pjesë në këtë ditë solidariteti me familjet e të zhdukurve me dhunë.
Në shenjë mbështetjeje për viktimat e zhdukjes me forcë dhe familjet e tyre, nëse dëshironi, mund të sillni një lule. Ky gjest simbolik do të shprehë kujtimin tonë për të gjithë ata që ende nuk kanë një vend prehjeje, një varr ku të afërmit e tyre të mund të vendosin një lule.
Së bashku, ta mbajmë gjallë kujtimin e tyre dhe të rikujtojmë se, përderisa i kujtojmë, ata jetojnë.
Kontaktet për media
Shoqata Kulturore Dora d’Istria, Gjenevë
Mirishahe Limani Hiler
Lisa Mazzone, Edon Duraku dhe Laura Krenzi
[email protected]
079 607 46 74
Për çdo kërkesë për intervistë, reportazh ose informacion shtesë lidhur me Marshin për Drejtësi apo mbrëmjen letrare kushtuar Ukshin Hotit, përfaqësuesit e mediave ftohen të kontaktojnë Shoqatën Kulturore Dora d’Istria.
The post Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjes me Forcë “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



