Oda e Përmbaruesve – ministrit Murati: Tërhiqu nga deklaratat e pabaza, ose do të të ndjekim me ligj
Oda e Përmbaruesve Privatë ka dalë me reagim përmes së cilit ka hedhur kritika ndaj pretendimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, se përmbaruesit po abuzojnë me tarifat. Bordi Ekzekutiv i OPP-së e ka konsideruar si të pabazuar dhe si rrjedhojë të papranueshme, deklaratën e ministrit Murati, ku përmbaruesit privatë akuzohen për “Abuzim me tarifat”.

Oda e Përmbaruesve Privatë ka dalë me reagim përmes së cilit ka hedhur kritika ndaj pretendimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, se përmbaruesit po abuzojnë me tarifat.
Bordi Ekzekutiv i OPP-së e ka konsideruar si të pabazuar dhe si rrjedhojë të papranueshme, deklaratën e ministrit Murati, ku përmbaruesit privatë akuzohen për “Abuzim me tarifat”.
Deklarata e ministrit, sipas OPP-së, delegjitimon edhe çështjen e kontratave kolektive, “por pa analizë të mirëfilltë, për të dy temat, pa informacion dhe në mënyrë të përgjithësuar dhe paushalle, gjë që do të ishte më së paku e pritshme nga një ministër i financave”.
Oda tha se përmbaruesit privatë zbatojnë ligjin, dhe nuk e krijojnë atë.
“Tarifat e përmbaruesve nuk caktohen sipas dëshirës, por janë të përcaktuara qartë, bazuar në Ligjin për Procedurën Përmbarimore dhe akte nënligjore, përkatësisht udhëzim administrativ konkret. Çdo tarifë është e rregulluar dhe transparente. Në vend që të drejtohen akuza të pabazuara ndaj përmbaruesve, institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet që marrin dhe detyrimet që krijojnë”, u tha mes tjerash në reagimin e OPP-së.
Rasti kur një tarifë e përmbaruesit tejkalon borxhin, OPP thotë se është i rrallë dhe ndodh vetëm nëse borxhi është shumë i ulët, ndërsa zbatimi i procedurave ligjore ka një kosto të caktuar, varësisht nga veprimet përmbarimore, por jo vetëm të përmbaruesit, mirëpo edhe sipas tarifës së Odës së Avokatëve, të bazuar në ligj.
OPP thotë se kundërshtimi i shpenzimeve të procedurës dhe/apo tarifat përmbarimore, duhet të bëhet përmes ligjit, “e jo me deklarata të përgjithësuara dhe politike”.
“Organ kompetent për shqyrtim dhe/apo kundërshtim të tarifave është gjykata dhe jo podiumet përmes deklaratave të pabazuara politike”, u tha në këtë reagim të Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës.
Akuzat e pabazuara, të përgjithësuara e të pasakta, OPP tha se minojnë besimin tek sistemi i drejtësisë dhe dëmtojnë parimin themelor të sigurisë juridike.
Postimi i ministrit Murati, sipas Odës, ndër të tjera konstaton se “Sipas deklarimeve të Asociacionit të Komunave, dëmi buxhetor tashmë ka tejkaluar mbi 100 milionë euro”.
“Kjo krijon perceptimin e gabuar se kinse ekzekutimi i borxheve nga përmbaruesit privatë është një proces që shkakton dëm për shoqërinë kosovare. Në fakt, përmbarimi i borxheve nuk është një dëm për debitorin apo për institucionet, por një mekanizëm ligjor për shlyerjen e detyrimeve, në rastet kur debitorët nuk i përmbushin obligimet e tyre, në mënyrë vullnetare dhe në kohë, ndaj kreditorëve, të cilët gjithashtu gëzojnë të drejta dhe siguri juridike brenda sistemit tonë juridik”.
OPP tha se kjo nuk është hera e parë që, “për qëllime politike, me deklarata të bujshme e populiste, dëmtohet reputacioni i përmbaruesve privatë, përmes konstatimeve të përgjithësuara dhe të paanalizuara, nga akterë të ndryshëm politikë”.
Kërkesë e Odës është që, “për shkak të deklaratës së pabazuar dhe të pasaktë, Ministri i Financave të tërhiqet nga deklarata e tij e pamatur, e cila rëndon mbi reputacionin e përmbaruesve privatë dhe krijon dyshime e amulli institucionale”.
“Nëse z. Murati nuk do të tërhiqet nga deklarata e tij, ne si përmbarues do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore për të mbrojtur integritetin e profesionit dhe të drejtën tonë për të ushtruar detyrën në mënyrë të ligjshme dhe të pa ndikuar nga akterët politikë”, tha Bordi Ekzekutiv i Odës së Përmbaruesve Privatë të Republikës së Kosovës.
Ministri i Financave, më 25 shkurt, përmes një postimi në Facebook tha se vetëm këtë periudhë të këtij viti, janë bërë 23,118 lëndë përmbarimore që janë dorëzuar kundër komunave në Thesar, për kontratën kolektive të nënshkruar paligjshëm.
Ndërkaq, ai tha se “shuma e kërkuar për përmbarim është 35.8 milionë euro, ku 25.6 milionë janë për borxhin ndaj përfituesve, kurse 10.2 milionë euro janë për tarifat e përmbaruesve”.
Çështje shqetësuese për të cilën ministri Murati tha se duhet të merren organet e rendit, “është edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat”.
“Nuk janë të rralla rastet kur tarifa e përmbaruesit tejkalon edhe vlerën e borxhit që përmbarohet”, shkroi Hekuran Murati.