Orë letrare me përkthyesen Andrea Grill
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ organizon një orë letrare në Vjenë, me përkthyesen austriake, Andrea Grill The post Orë letrare me përkthyesen Andrea Grill appeared first on Albinfo.

‘‘Mos lëshoni rastin të merrni pjesë në këtë aktivitet letrar, i cili do të mbahet në Musikquartier, në qendër të Vjenës’’, shkruan në ftesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’. Kjo ngjarje kulturore do të mbahet të premten, me 19 shtator 2025, duke filluar nga ora 18:00, raporton albinfo.at.
Ky manifestim do të drejtohet nga Anton Marku ndërsa pjesë të përzgjedhura nga krijimtaria e Andrea Grill do të lexohen nga poetja Gabriela Muja. Me disa pika muzikore në piano do të paraqitet Vlora Melchard.
Përkthyesja austriake Andrea Grill ishte vetëm 17 vjeç kur shkoi për herë të parë në Shqipëri. Ishte viti 1992. Për të ky vend, i cili i kishte dhënë sinjale të çuditshme qëkurse ishte fëmijë, ishte një botë që duhej zbuluar. Një aventurë. Ajo sot është një shkrimtare që po fiton vend të rëndësishëm në letërsi si shkrimtare dhe si përkthyese. Në Austri Andrea Grill ka botuar disa libra, ndër ta edhe një roman, ku personazhi qendror është një shqiptar. Në fakt në të gjithë librat e saj ka aroma Shqipërie.
Si është të përkthesh nga një gjuhë kushtimisht e ‘‘vogël’’ në një gjuhë të ‘‘madhe’’, cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet një përkthyes, si e sheh Andrea Grill letërsinë shqipe të shkruar në Ballkan dhe si atë në diasporë, si ndërlidhet roli i përkthyesit me atë të shkrimtarit. Këto dhe tema të tjera do të jenë në fokus të këtij bashkëbisedimi, njofton albinfo.at
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ do të përmbyllë aktivitetin e saj për këtë vit me një orë letrare, e cila do të mbahet po ashtu në Vjenë, me 21 nëntor, me shkrimtarin Primo Shllakun nga Shkodra dhe poeten Vlora Ademi nga Prishtina.
The post Orë letrare me përkthyesen Andrea Grill appeared first on Albinfo.