Osmani, Kurti e Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz

“Familja Jashari emblemë e UÇK-së, kullat e tyre – kala e lirisë” The post Osmani, Kurti e Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz appeared first on Albinfo.

Osmani, Kurti e Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz

Krerët e shtetit kanë bërë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca kanë vendosur buçeta me lule për 27-vjetorin e ngjarjes flijimin e familjes Jashari, duke u përjetësuar në historinë shqiptare.

Përveç tyre, homazhe bënë edhe personalitete të tjera të ekzekutivit dhe të qeverisjes lokale.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sakrifica e familjes Jashari është dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës.

“Ata luftuan shumë më gjatë sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar kështu në emblemë të UÇK-së si dhe duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të kalasë së lirisë, që edhe sot e mbron Kosovën, sovranitetin dhe pavarësinë. Nga këtu jo vetëm ne si breza që e përjetuam luftën, por edhe brezat e rinj, fëmijët tanë inspirohen për rrugën përpara për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë e gjak. Mbi të gjitha na përkujtohet të gjithëve se sa i lartë ka qenë çmimi për lirinë tonë”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur se përveç figurës së Adem Jasharit, nuk duhet harruar fakti që dhjetëra gra e vajza janë flijuar nga po kjo familje, duke e bërë edhe më të shenjtë sakrificën e tyre.

“Kjo rrugë dhe sakrificë e tyre do të shërbej për secilin për ne si dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës, e cila çdo ditë po bëhet më e fortë”, ka thënë presidentja.

Po ashtu edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se krijimi dhe esenca e UÇK-së mbështetet te familja Jashari. Një deklaratë të tillë ai e bëri pas homazheve në Prekaz për nder të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

“Ata si familje e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe shpirtin e tyre një të vërtetë, që e ka shpëtuar popullin e Kosovës. E kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa armë në dorë dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet”, ka thënë Konjufca.

Ai ka bërë homazhe bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe personalitete të tjera politike.

The post Osmani, Kurti e Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz appeared first on Albinfo.