Osmani shkon në Tirolin e Jugut: BDI kërkon model për forcimin e Marrëveshjes së Ohrit

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, do të qëndrojë më 16 dhe 17 shtator në Tirolin e Jugut, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues institucionalë dhe ekspertë, me fokus te modelet e bashkëjetesës dhe mbrojtjes së komuniteteve.
Sipas BDI-së, gjatë vizitës Osmani do të njihet nga afër me mënyrën se si funksionon modeli i Tirolit të Jugut, veçanërisht në fushën e barazisë gjuhësore, përfaqësimit proporcional dhe ndarjes së pushtetit.
Nga BDI e cilësojnë këtë përvojë si të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, duke e lidhur drejtpërdrejt me nevojën për mbrojtjen dhe forcimin e arkitekturës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Partia thekson se Tiroli i Jugut paraqet një nga shembujt më të njohur evropianë për menaxhimin e diversitetit, ku mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e komuniteteve kanë kontribuar në stabilitetin afatgjatë.
Vizita e Osmanit vjen në kuadër të përpjekjeve të BDI-së për të promovuar modele evropiane që, sipas saj, mund të shërbejnë si përvojë për ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



