Tetë parti shqiptare garojnë bashkë për më shumë deputetë në Kuvendin e Serbisë

Tetë parti politike shqiptare nga jugu i Serbisë kanë krijuar listën e përbashkët zgjedhore “Koalicioni Shqiptar”, përmes së cilës synojnë të rrisin numrin e përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë dhe të shtyjnë përpara çështjet e komunitetit në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Listën do ta udhëheqë Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe aktualisht deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ndërsa vendin e dytë do ta ketë një përfaqësues i Alternativës për Ndryshim dhe të tretin një përfaqësues i Partisë Demokratike.
Kamberi ka thënë se synimi është që shqiptarët të kenë “fuqi më të madhe politike” dhe përfaqësim më të gjerë në institucionin ligjvënës serb, ndërsa platforma e koalicionit do të mbështetet në planin me shtatë pika të miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013, i cili përfshin përfaqësimin institucional, zhvillimin ekonomik të komunave të Luginës së Preshevës, përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare, si dhe çështjet e drejtësisë, sigurisë, arsimit, mediave, kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Sipas Kamberit, partitë kanë rënë dakord që edhe pas zgjedhjeve deputetët e zgjedhur nga kjo listë të veprojnë së bashku dhe të synojnë krijimin e një grupi parlamentar me subjekte të tjera me të cilat kanë qëndrime të përbashkëta.
The post Tetë parti shqiptare garojnë bashkë për më shumë deputetë në Kuvendin e Serbisë appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



