Pas Osmanit, edhe VV-ja do të dërgojë komente në Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese komente në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Në zyrën e Osmanit thanë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet. Ndërkaq, në partinë e cila ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, theksojnë

Pas Osmanit, edhe VV-ja do të dërgojë komente në Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese komente në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Në zyrën e Osmanit thanë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet.

Ndërkaq, në partinë e cila ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, theksojnë se Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i lejojë “veton Listës Serbe për të bllokuar konstituimin e Kuvendit e më pas edhe formimin e qeverisë”.

Afati i fundit për dërgimin e komenteve në Kushtetuese është deri nesër, më 9 shtator, por këtë të drejtë nuk do ta shfrytëzojnë në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, në Partinë Demokratike të Kosovës nuk u përgjigjen nëse do të dërgojnë komente në lidhje me konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas ankesës së Listës Serbe.

Të heshtur nëse do të dërgojnë komente në Kushtetuese ishin edhe në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha.

Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.