Pasojat e luftës, sa para i duhen Ukrainës për rimëkëmbjen
Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (OIM), Amy Pope, deklaroi nga Roma, gjatë Konferencës për Rimëkëmbjen e Ukrainës, se vendi ka nevojë për rreth 524 miliardë dollarë për t’u rimëkëmbur nga pasojat e luftës. Pope nënvizoi se këto nevoja kërkojnë “financime të qëndrueshme dhe të parashikueshme”. “Paqja mbetet një shpresë e përbashkët për [...]Read More...

Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (OIM), Amy Pope, deklaroi nga Roma, gjatë Konferencës për Rimëkëmbjen e Ukrainës, se vendi ka nevojë për rreth 524 miliardë dollarë për t’u rimëkëmbur nga pasojat e luftës. Pope nënvizoi se këto nevoja kërkojnë “financime të qëndrueshme dhe të parashikueshme”.
“Paqja mbetet një shpresë e përbashkët për shumëkënd, por realiteti në terren është ende kompleks. Rimëkëmbja duhet të ecë paralelisht me rindërtimin e jetëve, rikthimin e shërbimeve bazë dhe forcimin e institucioneve që tani”, tha Pope.
Sipas saj, pothuajse gjysma e popullsisë së Ukrainës ka nevojë për ndihmë humanitare, ndërsa miliona familje janë të zhvendosura. Pope kujtoi vizitën e saj në Ukrainë vitin e kaluar, ku u trondit nga përmasat e shkatërrimit, por edhe u frymëzua nga forca e grave ukrainase që kishin ikur nga zonat në konflikt.
Sipas të dhënave të OIM, shumë ukrainas po rikthehen në vendet e tyre të origjinës, shpesh për mungesë alternativash. Pope theksoi se është jetike të krijohen kushte për një rikthim të sigurt, vullnetar dhe dinjitoz, duke shtuar se “nëse nuk rritet mbështetja afatgjatë, shumë prej tyre nuk do të arrijnë të riintegrohen dhe rreziku i zhvendosjeve të reja do të mbetet i lartë”.
Drejtoresha e OIM u ndal edhe te kriza globale e migracionit, duke theksuar se më shumë se 123 milionë persona janë aktualisht të zhvendosur në nivel botëror. Ajo kritikoi qasjen e vendeve të pasura që po ndërtojnë mure dhe po shtrëngojnë politikat e emigracionit, ndërkohë që ekonomitë e tyre mbështeten në punëtorë emigrantë.
Pope theksoi se Mesdheu vazhdon të jetë rruga më e rrezikshme migratore në botë, me mbi 32 mijë të vdekur që nga viti 2014. Megjithatë, sipas saj, po shfaqen iniciativa pozitive, përfshirë programet e ri-strehimit të financuara nga BE-ja, korridoret humanitare dhe politikat e vendeve si Italia me “Dekretin Flussi”.