Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Gjeorgji, pesë të arrestuar

Policia në Gjeorgji ka arrestuar pesë persona pas përplasjeve të dhunshme me protestues antiqeveritarë që tentuan të hyjnë me forcë në kompleksin presidencial në kryeqytetin Tbilisi. Forcat e sigurisë përdorën topa uji dhe sprej piperi për të shpërndarë turmat e protestuesve. Sipas autoriteteve, 21 efektivë policie dhe gjashtë protestues janë dërguar në spital me lëndime. [...]Read More...

Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Gjeorgji, pesë të arrestuar

Policia në Gjeorgji ka arrestuar pesë persona pas përplasjeve të dhunshme me protestues antiqeveritarë që tentuan të hyjnë me forcë në kompleksin presidencial në kryeqytetin Tbilisi.

Forcat e sigurisë përdorën topa uji dhe sprej piperi për të shpërndarë turmat e protestuesve. Sipas autoriteteve, 21 efektivë policie dhe gjashtë protestues janë dërguar në spital me lëndime.

Protesta u zhvillua në të njëjtën ditë me zgjedhjet vendore, të cilat u bojkotuan gjerësisht nga opozita, pas goditjes së ashpër të ndërmarrë nga qeveria ndaj kundërshtarëve politikë. Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, pretendon se ka fituar në çdo bashki me mbi 80% të votave.

Mes të arrestuarve ishte edhe këngëtari i njohur i operës dhe një prej organizatorëve të protestës, Paata Burchuladze. Më herët gjatë ditës, ai lexoi një deklaratë publike duke u bërë thirrje punonjësve të Ministrisë së Brendshme që të respektojnë vullnetin e popullit dhe të arrestojnë menjëherë gjashtë figura të larta të partisë në pushtet.

Protesta u zhvillua në një klimë të tensionuar politike që ka përfshirë Gjeorgjinë që prej zgjedhjeve të vitit të kaluar, të cilat opozita pro-BE i cilëson si të manipuluara. Që prej asaj kohe, qeveria ka pezulluar bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke nxitur pakënaqësi të thella në radhët e qytetarëve.

Të shtunën, dhjetëra mijëra qytetarë marshuan në rrugët kryesore të Tbilisit duke valëvitur flamuj gjeorgjianë dhe të BE-së. Protestuesit më pas u drejtuan drejt kompleksit presidencial në rrugën Atoneli, ku disa prej tyre tentuan të hyjnë në ambientet e brendshme, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave speciale.

Sipas dëshmive nga terreni, situata u përshkallëzua me shpejtësi. “Papritur pamë gazin lotsjellës pas nesh. Njerëzit filluan të iknin me vrap, gjithçka u bë kaotike dhe policia filloi të arrestonte protestuesit,” tha Irakli, 24 vjeç, një nga pjesëmarrësit në protestë.

Ia, një vajzë 21-vjeçare, mori pjesë në tubim e veshur me të zeza, helmetë dhe maskë kundër gazit, për të shmangur identifikimin nga kamerat inteligjente të vendosura përgjatë bulevardit Rustaveli – pika kryesore e protestave të vazhdueshme. “Nëse vishemi me ngjyra, na identifikojnë dhe përfundojmë në burg,” u shpreh ajo.

Shumë protestues janë gjobitur me shuma të konsiderueshme prej 5,000 lari gjeorgjianë (rreth 1,835 dollarë) për “bllokim të paligjshëm të rrugëve”, sipas autoriteteve.

Ia dhe shumë të tjerë i referohen partisë në pushtet si “Ëndrra Ruse”, duke nënvizuar bindjen e tyre se qeveria po vepron në interes të Moskës, jo të Brukselit. Ndërsa në zonat rurale partia qeverisëse gëzon ende mbështetje për mesazhin e saj mbi ruajtjen e paqes, në qytetet e mëdha si Tbilisi perceptimi është i ndryshëm.

Protestat e përnatshme në Tbilisi kanë nisur që nga nëntori i kaluar, kur qeveria shpalli ndërprerjen e dialogut për anëtarësim në BE. Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë lirimi i të burgosurve politikë dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./abcnews.al