Vijon operacioni i shpëtimit për qindra të bllokuar në malin Everest

Një stuhi e fuqishme dëbore ka goditur zonat malore në shpatet lindore të malit Everest në Tibet, duke rrezikuar jetën e qindra alpinistëve dhe aventurierëve që ndodheshin në kampe të përkohshme. Sipas mediave shtetërore kineze, autoritetet kanë nisur operacionet e shpëtimit në këtë zonë të largët dhe të vështirë për t’u arritur. Më shumë se [...]Read More...

Vijon operacioni i shpëtimit për qindra të bllokuar në malin Everest

Një stuhi e fuqishme dëbore ka goditur zonat malore në shpatet lindore të malit Everest në Tibet, duke rrezikuar jetën e qindra alpinistëve dhe aventurierëve që ndodheshin në kampe të përkohshme. Sipas mediave shtetërore kineze, autoritetet kanë nisur operacionet e shpëtimit në këtë zonë të largët dhe të vështirë për t’u arritur.

Më shumë se 350 persona janë shpëtuar dhe janë strehuar në qytezën e vogël Qudang, ndërsa rreth 200 të tjerë vazhdojnë të jenë në kontakt me ekipet e shpëtimit, por mbeten të izoluar në mal. Mbi 100 banorë vendas dhe punonjës emergjencash janë angazhuar për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora në një lartësi mbi 4,900 metra mbi nivelin e detit.

Stuhia e dëborës filloi të premten në mbrëmje dhe u përshkallëzua me shpejtësi në shpatet lindore të Everestit – një zonë e preferuar për alpinistët dhe ecësit në natyrë gjatë festës kombëtare të Kinës, e njohur si “Java e Artë”.

Ndër të bllokuarit ishte edhe Geshuang Chen, 29 vjeçe, një pasionante e natyrës e cila ishte nisur më 4 tetor nga Qudang drejt kampit bazë të Cho Oyu, me një grup prej më shumë se 10 personash. Ata kishin planifikuar një udhëtim pesëditor për të shijuar pamjet e Himalajeve.

“Në parashikimin e motit thuhej se do të binte dëborë vetëm ditën e nisjes, por më pas do të kthjellohej”, tha znj. Chen për BBC. “Megjithatë, ditën tjetër kur u zgjuam, dëbora kishte arritur gati një metër.” Grupi u detyrua të kthehej mbrapsht.

“Jemi të gjithë ecës me përvojë, por kjo stuhi ishte jashtëzakonisht e vështirë. Kam pasur shumë fat që dola prej andej”, shtoi ajo, ndërsa është tashmë në rrugën e kthimit për në qytetin Lhasa.

Ajo theksoi se reshje të tilla në këtë anë të Everestit janë të pazakonta, gjë që e konfirmoi edhe udhërrëfyesi i grupit të saj.

Shumë turistë vendas kishin zgjedhur këtë javë të udhëtojnë drejt luginës Karma – një shteg më pak i njohur, por i bukur që ofron pamje spektakolare të Everestit. Një grua nga qyteti jugor i Shenzhen-it tha për BBC se burri i saj, i cili kishte mbetur i bllokuar nga stuhia, po mundohej të zbriste, por rruga ishte jashtëzakonisht e vështirë për shkak të dëborës së dendur.

“Edhe për ekipet e shpëtimit është sfidë. Duhet të hapin rrugë duke pastruar dëborën”, tha ajo. Burri i saj kishte rrëfyer se mezi kishte fjetur natën nga frika se mos mbulohej nga dëbora brenda çadrës.

Një tjetër alpinist, Eric Wen, tha për agjencinë Reuters se tre persona në grupin e tij kishin pësuar hipotermi, edhe pse ishin të veshur mirë. Ata ishin të detyruar të hiqnin dëborën çdo 10 minuta, pasi përndryshe çadrat do të shembeshin.

Stuhia në Everest ndodh në të njëjtën kohë kur Nepali fqinj po përballet me reshje të rrëmbyeshme që kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje të befta, duke shkaktuar të paktën 47 viktima në dy ditët e fundit. Ndërkohë, në bregdetin lindor të Kinës, tajfuni Matmo ka detyruar evakuimin e mbi 150,000 banorëve.

Everesti, maja më e lartë në botë me mbi 8,849 metra, mbetet një nga sfidat më të mëdha për alpinistët, por edhe një zonë me rrezik të lartë. Vitet e fundit ai është përballur me mbipopullim, shqetësime mjedisore dhe aksidente fatale.