Përmbledhje nga manifestimet për pavarësinë e Kosovës në Zvicër
Fundjavë e ngjeshur me aktivitete kulturore dhe festive me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga shoqata të ndryshme në Zvicër The post Përmbledhje nga manifestimet për pavarësinë e Kosovës në Zvicër appeared first on Albinfo.

Javën që lamë pas, anë e kënd Zvicrës janë zhvilluar manifestime të shumta kushtuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtit.
Të premten e kaluar, SH.K.A “Dardania” nga Winterthuri, kishte zgjedhur një formë më modeste dhe më të veçantë për ta festuar pavarësinë e Kosovës, duke i bërë bashkë në ambientet e ushtrimeve të saj disa grupe folklorike dhe rapsodike që veprojnë në Winterthur me rrethinë.
Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore ata i kënduan Kosovës, heronjve, lirisë, UÇK-së e Adem Jasharit si komandant i kësaj lirie, dhe kësaj pavarësie që sot po e gëzojmë.
Orkestra e Dardanisë udhëhiqej nga veterani Hamit Shillova, me pjesëtarët si: Ekrem Beqiri, Tefik Shavda, Mehmet Sermaxhaj, Dorart Ahmeti e Labinot Bllaca ekzekutoi valle e këngë nga repertori i shoqërisë. Këngët u shoqëruan me vegla të rralla burimore si kavallat, meshnicat, surlat dhe vegla tjera me frymë, që i zotëron si më së miri veterani i kësaj shoqërie, baca Hamit Shillova.
Pjesa tjetër e “Dardanisë”, prirë nga Ruzhdi Hajrizi, një instrumentist e këngëtar me përvojë të gjatë në vegla burimore e të tjera si çiftelia, sharkia, primi, e deri te harmonika. Aty ishin edhe Agim Sopi dhe mjeshtri Bashkim Fekaj, Emin Raci, e veterani në mesin e rapsodëve Sefedin Ramadani, i cili përkundër moshës së shtyrë i ishte bashkangjitur kësaj feste. Po ashtu pjesë e kësaj mbrëmjeje ishin edhe pjesëtarët e vjetër të shoqërisë, Nezir Hyseni dhe Hisen Abazi, që kishin munguar një kohë, për shkaqe shëndetësore.
Nga aktivitetet që po organizoheshin sidomos të dielen, kryesia e Dardanisë kishte ndarë ekipet për t`i vizituar shoqatat, dhe shoqëritë e ansamblet e ndryshme në rrethinë. Kryetari merrte pjesë në manifestimin e pavarësisë së Kosovës, që po organizohej nga shoqata “Sharri” nga Romanschorni, në Waldkirch të St. Gallenit, që tashmë ka edhe lokalet e veta.
Në sallën që po mbushej, në skenë ishte ngjitur këngëtari Bexhat Sallai me kitarë, për të argëtuar të pranishmit deri sa të filloi programi. Pastaj fëmijët, të veshur me ngjyrat verdh e kaltër mbushën skenën, me një pamje shumë mbresëlënëse për të pranishmit.
Me intonimin e himnit të Kosovës dhe më pas edhe me këngën e pavarësisë të Ilir Shaqirit, po shpalosej edhe flamuri i Kosovës, në skenën e mbushur me artistë dhe grupi i fëmijëve që po valvitnin flamujt kombëtar dhe të veshur verdh e kaltër, si simbol i dy ngjyrave të flamurit të Kosovës.
Moderatorët, Kreshnik Sadikaj, (i cili ishte edhe koreografi dhe udhëheqësi artistik) dhe Bexhet Sallai ftuan së pari kryetarin e shoqatës “Sharri”, z. Fatmir Qazimi, i cili përshëndeti të pranishmit, dhe u uroi festën e pavarësisë së Kosovës. Në vazhdim shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Zürich, z.Vigan Berisha, u paraqit me një fjalë përshëndetjeje ku theksoi se duhet të mburremi me faktin që po organizohen manifestime të tilla nga mërgata. Ai u uroi të pranishmëve pavarësinë e Kosovës, duke marrë edhe një mirënjohje nga organizatori i kësaj feste, të dhuruar nga aktivistja e shoqatës zonja Igballe Krasniqi.
Mandej filluan vallet njëra pas tjetrës, të tri grupeve të vallëzimit. Më tutje u vazhdua me ndarjen e disa mirënjohjeve në mesin e tyre edhe Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania” nga Winterthuri, e cila vitin që shkoi ka festuar 30 vjetorin e themelimit. Mirënjohja ju nda kryetarit, Shefqet Cakolli.
Edhe Ansamblit “Arbëresha” që përfaqësohej nga kryetari i sapo zgjedhur, Augustin Uka dhe kryetari i deridjeshëm Nue Uka ju nda një mirënjohje për kontributin e saj tashmë 21 vjeçar.
Në fund të programit doli këngëtari Osman Imeraj. Këtu filloi edhe pjesa argëtuese e programit, me ç`rast dolën për të vallëzuar të rinjtë në ritmin e dasmave, po edhe të festës së pavarësisë.
Pjesa tjetër e kryesisë së “Dardanisë”, ishte e pranishme në programin artistik të organizuar nga shoqata “Bashkimi” në Uster të Zürichut, ku graviton një numer i madh të bashkatdhetarëve.
Me himnin kombëtar dhe nën përcjelljen e grupit të valltarëve si dekor është hapur manifestimi. Publikun e ka përshëndetur kryetari, Guximtar Alushi, i cili falënderoi të pranishmit sidomos pjesëmarrjen e ambasadorit të Kosovës dhe përfqësuesit të ambasadës së Shqipërisë.
Në vazhdim pati valle, këngë kënduar nga Isuf Rashiti etj. Vallet janë prioritet i kësaj shoqate, falë edhe numrit të madh të valltarëve të gati shtatë grupeve të valltarëve, të të gjitha grup moshave.
Të pranishme ishin edhe shoqatat si Ansambli “Vatra”, shoqata “Skenderbeu”, SH.K.A “Dardania” mandej LAPSH-i, etj. I pranishëm në këtë aktivitete, ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër z. Mentor Latifi, përshëndeti të pranishmit me një fjalë rasti, ashtu sikurse edhe sekretari i parë i ambasadës së Shqipërisë, z. Valon Gashi.
Tekstin dhe foto:Shefqet Cakolli
The post Përmbledhje nga manifestimet për pavarësinë e Kosovës në Zvicër appeared first on Albinfo.