Përmbytje në Stamboll, humb jetën një 14-vjeçar e pezullohet mësimi

Përmbytje në Stamboll, humb jetën një 14-vjeçar e pezullohet mësimi

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha në Stamboll. Një 14 vjeçar ka humbur jetën për shkak të kontaktit me energjinë elektrike gjatë vërshimeve.

14-vjeçari i identifikuar me inicialet M. I., humbi jetën pasi shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të Stambollit, që ndodhet në distriktin Fatih. Sipas informacioneve nga zyra e guvernatorit të Stambollit, i mituri u transportua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, raportojnë mediat turke.

Në qytetin me rreth 16 milionë banorë u raportuan më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe dhjetëra raste kur njerëzit mbetën të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.

Mbi 2.500 raportime për shkak të motit të keq

Reshjet shkatërruese shkaktuan kaos në të gjithë qytetin, ndërsa shërbimet emergjente pranuan gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike

Sipas të dhënave moti i keq preku 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete.

Mediat raportuan për shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime të përmbytura, ndërsa shumë automjete mbetën të bllokuara në ujë.

Reshjet më të mëdha në pjesën aziatike të qytetit

Reshjet më të dendura u regjistruan në zonën Ömerli, në distriktin Beykoz, në pjesën aziatike të Stambollit.

Për shkak të seriozitetit të situatës, pranë Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) u krijua një qendër koordinimi për krizën.

Në terren u angazhuan rreth 8.000 pjesëtarë të shërbimeve të ndryshme, me mbështetjen e 2.000 automjeteve dhe makinerive të ndërtimit. Në operacionet e ndërhyrjes morën pjesë ekipet e AFAD-it, Bashkisë Metropolitane të Stambollit dhe shërbimeve komunale.

Mësimi u pezullua, ndalohet qarkullimi i motoçikletave

Për shkak të kushteve atmosferike, autoritetet vendosën të pezullojnë mësimin në shkollat e Stambollit ditën e enjte. Gjithashtu, u ndalua qarkullimi i motoçikletave për shkak të rrezikut në rrugë.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes të veçantë, veçanërisht në pjesën aziatike të qytetit, duke u rekomanduar të qëndrojnë në shtëpi, përveç rasteve kur udhëtimi është i domosdoshëm.

Punonjësit me aftësi të kufizuara në sektorin publik, si dhe nënat me fëmijë të vegjël, u liruan nga detyrimet e punës. Përjashtim bënë punonjësit e shërbimeve sociale që punojnë në institucionet ku strehohen fëmijë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara, me qëllim që të sigurohet vazhdimësia e kujdesit dhe mbështetjes për këta persona.

Banorëve që jetojnë në apartamente në katin përdhes ose në bodrume u rekomandua ta kalojnë natën në vende më të sigurta.

Moti i keq shkaktoi gjithashtu trafik të rënduar, veçanërisht gjatë orëve të pikut në mbrëmje, kur qytetarët po ktheheshin nga puna. Transporti publik ishte jashtëzakonisht i mbingarkuar, pasi shumë qytetarë hoqën dorë nga përdorimi i automjeteve private.

Pavarësisht problemeve të mëdha në rrugë, zyra e guvernatorit njoftoi se asnjë rrugë nuk ishte mbyllur plotësisht për shkak të shiut. Pistat e aeroporteve funksiononin normalisht dhe nuk u raportuan anulime fluturimesh.

The post Përmbytje në Stamboll, humb jetën një 14-vjeçar e pezullohet mësimi appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.