Përplasi 3 makina dhe kërcënoi qytetarët me hanxhar, arrestohet 34-vjeçari

Përplasi 3 makina dhe kërcënoi qytetarët me hanxhar, arrestohet 34-vjeçari

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në përfundim të veprimeve të para hetimore, arrestuan shtetasin F. M., 34 vjeç, banues në Fushë Krujë.

34-vjeçari dyshohet se fillimisht ka përplasur me automjetin që drejtonte në rrugën e Rinasit, 3 automjete, me pasojë vetëm dëme materiale.

Më pas, ka shkuar në një lokal në zonë, ku ka marrë një mjet prerës (hanxhar), me të cilin ka kanosur qytetarë, si dhe ka dëmtuar 1 automjet dhe celularin e drejtuesit të tij.

Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, shtetasi F. M. ka kundërshtuar me dhunë, efektivët. Nga verifikimet e kryera më tej, rezultoi se 34-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Shtetasi F. M. është neutralizuar fillimisht nga shërbime të Forcave Detare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët po qarkullonin në këtë aks rrugor dhe më pas kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilët kishin marrë njoftimin për të shkuar në vendngjarje.