Plani me 20 pika, kushte për Netanyahun: Lirimi i pengjeve për 72 orë…

Plani prej 20 pikash i Donald Trump, i quajtur ndryshe“Plani gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”, është prezantuar si një propozim konkret për ndaljen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit. Krahas ndryshimeve të thella në krahasim me versionin paraprak, në plan nuk përfshihet më pika që përmendte se Izraeli nuk do të sulmonte [...]Read More...

Plani me 20 pika, kushte për Netanyahun: Lirimi i pengjeve për 72 orë…

Plani prej 20 pikash i Donald Trump, i quajtur ndryshe“Plani gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”, është prezantuar si një propozim konkret për ndaljen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit. Krahas ndryshimeve të thella në krahasim me versionin paraprak, në plan nuk përfshihet më pika që përmendte se Izraeli nuk do të sulmonte më Katarin, element ky i fshirë pas një telefonate mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe atij të Katarit.

Në qendër të planit është kërkesa për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, të gjallë apo të vdekur, brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me burgim të përjetshëm dhe mbi 1 mijë e 700 palestinezë nga Gaza të arrestuar pas 7 tetorit. Për çdo trup të pengjeve që kthehet, Izraeli do të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve.

Ndihma humanitare

Sipas dokumentit, hyrja dhe shpërndarja e ndihmave humanitare do të jetë e menjëhershme dhe në përputhje me marrëveshjen e janarit 2025. Për herë të parë specifikohet se këtë do ta bëjnë Kombet e Bashkuara, agjencitë e tyre, Gjysmëhëna e Kuqe dhe organizata ndërkombëtare të paanshme, duke përjashtuar entitete të mbështetura nga njëra palë, siç është Gaza Humanitarian Foundation, e përkrahur nga Izraeli dhe SHBA.

Qeverisja e Gazës

Në vend të një formule të paqartë për një “qeveri teknokrate kalimtare”, plani i ri parashikon që Gaza të administrohet nga një komitet palestinez teknokrat dhe apolitik, i përbërë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, nën mbikëqyrjen e një organi të ri ndërkombëtar, “Këshilli për Paqen”, i cili do të drejtohet nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, së bashku me liderë të tjerë botërorë, përfshirë Tony Blair. Ky komitet do të menaxhojë fondet për rindërtimin e Gazës derisa Autoriteti Kombëtar Palestinez të përfundojë reformat e tij dhe të jetë në gjendje të marrë kontrollin efektiv të territorit.

Hamas dhe demilitarizimi

Dokumenti thekson qartë se Hamas nuk do të ketë më asnjë rol në Gaza, ndërsa të gjitha strukturat e tij ushtarake dhe të infrastrukturës terroriste, përfshirë tunelet, do të shkatërrohen dhe nuk do të rindërtohen. Procesi do të mbikëqyret nga vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë.

Po ashtu, krijimi i një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) nuk është më një ide e përgjithshme, por një plan konkret: SHBA, vendet arabe dhe partnerë ndërkombëtarë do të formojnë një njësi të përkohshme që do të dislokohet menjëherë në Gaza. Kjo forcë do të trajnojë dhe mbështesë policinë palestineze, duke bashkëpunuar me Jordaninë dhe Egjiptin, si dhe me Izraelin për sigurinë kufitare.

Jo aneksim, tërheqje graduale

Plani rikonfirmon se Izraeli nuk do të aneksojë apo pushtojë Gazën. Ndërkohë që ISF vendos kontrollin dhe stabilitetin, forcat izraelite (IDF) do të tërhiqen në faza, sipas një kalendari të dakorduar me ISF-në. Një perimetër sigurie do të mbahet i pranishëm derisa Gaza të jetë e mbrojtur plotësisht nga çdo kërcënim terrorist.

Dialog ndërfetar dhe narrativat shoqërore

Një nga risitë më të rëndësishme, sipas palës izraelite, është përfshirja e një procesi të dialogut ndërfetar që synon ndryshimin e mentaliteteve dhe narrativave mes palestinezëve dhe izraelitëve, duke u bazuar në vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore