Policia jep detaje për aksidentin në Drenas ku humbi jetën një e mitur
Një aksident i rëndë trafiku ku një e mitur ka humbur jetën ka ndodhur pasditen e së dielës në Drenas. Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje, duke theksuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:08. Në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, e cila dyshohet se ka dalë nga

Një aksident i rëndë trafiku ku një e mitur ka humbur jetën ka ndodhur pasditen e së dielës në Drenas.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje, duke theksuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:08.
Në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, e cila dyshohet se ka dalë nga rruga dhe është vetaksidentuar.
Sipas raportit zyrtar të Policisë, një femër kosovare ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra në aksident.
Po ashtu pesë persona të tjerë janë lënduar përfshirë tre femra, një mashkull dhe vetë drejtuesen e veturës.
“Një veturë me targa vendore, e drejtuar nga e dyshuara femër kosovare, dyshohet se ka dalë nga rruga dhe është vet-aksidentuar. Si pasojë, një viktimë femër ka ndërruar jetë, ndërsa pesë persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Ndërkaq mbrëmë policia bëri të ditur se viktima e këtij aksidenti është një e mitur.
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e këtij aksidenti tragjik.