Presidencë ceremoniale, por betejë e fortë për të

Presidencë ceremoniale, por betejë e fortë për të
Në kohën kur Kosova përballet me sfida të shumta politike dhe institucionale, gara për postin e presidentit ka rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjet mes tri forcave kryesore politike.
Vetëm një javë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, vendi mbetet pa një marrëveshje, duke reflektuar jo vetëm mungesë kompromisi, por edhe një luftë më të thellë për ndikim politik.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si partia në pushtet, dhe dy subjektet kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vazhdojnë të jenë në pozicione të kundërta lidhur me këtë proces.
Afati kushtetues skadon më 28 prill, por deri tani nuk ka asnjë sinjal për një marrëveshje të mundshme.
Një betejë më shumë për elektoratin sesa për Presidencën?
Vëzhguesit e zhvillimeve politike vlerësojnë se, përtej deklarimeve publike, gara për Presidencën e Kosovës është shndërruar në një instrument për përfitime elektorale.
Politologu Dritëro Arifi thotë për Radion Evropa e Lirë se cilado parti që do të arrinte ta siguronte këtë post përmes një marrëveshjeje, do ta paraqiste atë si një fitore të madhe para elektoratit të saj.
“Partitë po synojnë që ta tregojnë këtë si fitore. Në këtë rast, absolutisht është Vetëvendosje ajo. Por, edhe dy partitë tjera opozitare (PDK dhe LDK) si një gjysmëfitore, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve”, vlerëson ai.
Rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 e bëjnë këtë betejë edhe më të ndërlikuar: LVV-ja ka siguruar mbi 51 për qind të votave dhe 57 deputetë në Kuvend, PDK-ja 20.2 për qind dhe 22 deputetë, ndërsa LDK-ja 13.2 për qind dhe 15 deputetë.
Kjo do të thotë se asnjëra nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit pa bashkëpunim ndërpartiak.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit të Kosovës bëhet me 80 vota.
Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat e nevojshme në dy rundet e para, atëherë organizohet rundi i tretë. E, që ky rund të jetë i suksesshëm, në votim duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë, dhe kandidati që merr së paku 60 vota, zgjidhet president.
Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje.
Çfarë propozuan



