Si pritet të zhvillohet seanca e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së?

Si pritet të zhvillohet seanca e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së?

Pas gati gjashtë vjetësh në paraburgim në Hagë, të mërkurën, më 16 shtator, do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të nisë në orën 10:00, sipas orës së Kosovës dhe të Hagës. Shpallja do të jetë publike dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe.

Ndërkohë, transmetimi publik do të ketë një vonesë prej 10 minutash. Kjo nënkupton se gazetarët dhe ekipet mediale që ndodhen fizikisht në Hagë do ta marrin vendimin më herët se publiku që do ta ndjekë atë përmes transmetimit online.

Sipas rendit të shpalljes së aktgjykimit, gjykata pritet të nisë me Hashim Thaçin, për të vazhduar më pas me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe, në fund, Jakup Krasniqin.

Vendimi do të shpallet nga kryesues i trupit gjykues që është gjyqtari amerikan Charles L. Smith III. Pjesë e panelit janë edhe gjyqtari gjerman Christoph Barthe, gjyqtari zviceran Guenaël Mettraux dhe gjyqtari irlandez Fergal Gaynor.

Të katër ish-krerët e UÇK-së përballen me akuza të pretenduara për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje të detyruar.

Ata i kanë mohuar akuzat dhe mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre. Prokuroria ka kërkuar dënime deri në 45 vjet burg për secilin.

Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023 dhe është zhvilluar për më shumë se tre vjet. Ndërkaq, ish-krerët e UÇK-së udhëtuan drejt Hagës në vitin 2020.

Gjatë tij, para trupit gjykues dëshmuan 134 dëshmitarë, ndërsa në proces kanë marrë pjesë 156 viktima. Procedurat e provave u mbyllën në dhjetor 2025, ndërsa deklaratat përmbyllëse të palëve u zhvilluan në shkurt të këtij viti.

Vendimi i së mërkurës nuk do të jetë ende vendim përfundimtar, pasi palët kanë të drejtë të ankohen ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Nëse lirohen ish-krerët e UÇK-së, Prokuroria mund ta apelojë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditësh. Kurse, në rast të dënimit, ish-krerët e UÇK-së kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara.

Në Kosovë, pritja për aktgjykimin ka nisur prej javësh. Në qytete të ndryshme janë vendosur ekrane dhe numërues që kanë shënuar ditët deri në shpalljen e vendimit, ndërsa më 12 shtator mijëra qytetarë morën pjesë në një marshim në Prishtinë në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Për shumë qytetarë në Kosovë, katër ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të konsiderohen figura të luftës dhe të shtetformimit të vendit. Për këtë arsye, verdikti pritet të ketë jehonë përtej aspektit strikt gjyqësor.

Institucionet e sigurisë të mërkurën pritet të funksionojnë me plan operativ, teksa Ambasada Amerikane për të mërkurën në Kosovë ka paralajmëruar protesta të mëdha të cilat sipas tyre janë organizuar nga organizatat e veteranë të luftës, ndonëse të njëjat i kanë mohuar këto informacione.

Edhe Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj që të shmangin vizitat në qytet pasi që janë paralajmëruar tubime të mëdhaja.

Në të njëjtën kohë, KFOR-i ka deklaruar se është i përgatitur për situata të ndryshme dhe se e monitoron nga afër situatën e sigurisë në Kosovë në prag të shpalljes së aktgjykimit.

Pas afro gjashtë vjetësh nga transferimi i tyre në Hagë, të mërkurën do të bëhet e ditur se si trupi gjykues i ka vlerësuar provat e mbledhura gjatë një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore për Kosovën që nga përfundimi i luftës.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.