Prokuroria e Shtetit raporton 17 raste me elemente penale gjatë zgjedhjeve

Prokuroria e Shtetit: 17 raste me elemente penale gjatë procesit zgjedhor
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka takuar sot Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.
Gjatë këtij takimi, Agron Qalaj ka theksuar se toleranca zero ndaj çdo përpjekjeje për cenimin e vullnetit të qytetarëve dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo dyshimi për parregullsi janë dëshmi të vendosmërisë së Prokurorit të Shtetit për mbrojtjen e ligjshmërisë, integritetit të zgjedhjeve dhe të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të votuar lirshëm.
Nga ana tjetër, prokurorja Laura Pula ka informuar se gjatë ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit ka pranuar disa informata. Pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbylljen e procesit të votimit, janë konstatuar 17 raste me elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtës së votimit.
Nga këto 17 raste, pesë persona janë ndaluar në vend, ndërsa dymbëdhjetë persona janë liruar në procedurë të rregullt. Prokurorja Pula ka theksuar se është duke monitoruar trajtimin e këtyre rasteve nëpër prokuroritë themelore, duke deklaruar se deri më tani të gjitha rastet vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Agron Qalaj dhe Laura Pula kanë vlerësuar bashkëpunimin dhe angazhimin e prokurorëve në të gjitha nivelet, duke theksuar se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve dhe e të drejtës së qytetarëve për të votuar lirshëm mbetet prioritet i vazhdueshëm i sistemit prokurorial.
Me pak fjalë
Gjatë zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit ka konstatuar 17 raste me elemente penale kundër të drejtës së votimit. Nga këto, pesë persona janë ndaluar, ndërsa dymbëdhjetë janë liruar në procedurë të rregullt. Të gjitha rastet vazhdojnë të monitorohen nga prokurorët e angazhuar.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



